Ferizaj

Gjimnazi suspendon nxënësin që “organizoi bojkotin e orës së biologjisë” – tash klasa e tij bojkoton tërë mësimin

By FerizajPress

December 23, 2017

Nxënësi i klasës së 11-të Agon Krasniqi është larguar përkohësisht nga Gjimnazi “Kuvendi i Arbrit”, me arsyen se për një muaj rresht organizoi bojkot të orës së biologjisë.

Për nxënësin në fjalë dhe babanë e tij, ky vendim është i padrejtë, raporton KTV.

Ndonëse deri tash nxënësit e klasës 11/9 në këtë shkollë të Ferizajt, kishin bojkotuar vetëm orën e profesorit, Mejdi Musliu, i cili sipas tyre i ka keqtrajtuar, tash ata po e bojkotojnë gjithë procesin mësimor.

Thonë se nuk kthehen në mësim derisa të kthehet Agoni, pasi pretendojnë se kanë kërkuar vetëm të drejtat e tyre asgjë më shumë.

Në Drejtorinë e Arsimit në këtë Komunë thonë që Inspektorati ka marrë masa edhe ndaj profesorit po ashtu edhe ndaj nxënësit.

Sipas Sadije Hajdinit, nga Drejtoria e Arsimit, pas dy muajve, Agoni do të kthehet përsëri në gjimnazin “Kuvendi i Arbrit” në Ferizaj.