Lajme

Gjermanët dalin në votim, Merkel pritet ta fitojë mandatin e katërt

By FerizajPress

September 24, 2017

Rreth 61.5 milionë njerëz kanë të drejtë vote në këto zgjedhje, në të cilat demokratët kristianë (CDU) të Merkelit pritet të fitojnë ndërmjet 34 dhe 37% të votave, sipas sondazheve të së shtunës, transmeton Express.

Partia e Unionit Demokratik Kristian (CDU) mund të shpresojë për një fitore të ngushtë së bashku me partinë e demokratëve të lirë (FDP) ose me Partinë e të Gjelbërve.

Nga ana tjetër, Partia Socialdemokrate, e udhëhequr nga Martin Schulz, pritet të fitojë ndërmjet 21 dhe 22% të votave, që vlerësohet se është një rënie historike e mbështetjes për këtë parti.

Partia e krahut të djathtë ekstrem, Alternativa për Gjermaninë (AfD), pitet të fitojë ndërmjet 11 dhe 13% në zgjedhjet e sotme.

Në Kosovë kanë nisur debatet se kush duhet të fitojë në Gjermani pas një qëndrimi të Lëvizjes Vetëvendosje e cila bënte thirrje shqiptarëve të votojnë për parti të majta. Në kundërshtim me qëndrimin e Vetëvendosjes, Kryeministri Ramush Haradinaj tha se një pjesë e partive të majta kishin përkrahur pushtetin e Sllobodan Milloshevicit në përpjekjen e tij për të shkatërruar shqiptarët e Kosovës gjatë viteve të 90’ta.

Edhe Presidenti Hashim Thaçi doli në krah të Angela Merkel, e cila vazhdon të jetë njëra prej përkrahësve të Republikës së Kosovës.

Në krah të Merkelit dolën edhe Zëvendëskryeministri i Parë, Behgjet Pacolli dhe Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa, i cili tha se Kancelarja gjermane është mike e Kosovës derisa qytetarëve që jetojnë në Gjermani u bëri thirrje të dalin e të votojnë. /Express/