Ai ka dhënë shpjegime të detajuara te drejtuesit më të lartë në lidhje me faktorët që çuan kombëtaren në eliminimin e parakohshëm nga Botërori. Kjo u prezantua në formën e një analize dhe trajneri së bashku me Oliver Birhof janë munduar të shpjegonin zgjedhjet e tyre në shpalljen e listës së futbollistëve. Analiza u zhvillua me dyer të mbyllura dhe trajneri nuk dha asnjë shpjegim për mediat. Kujtojmë që ai pranoi të vazhdonte në detyrën e tij si trajner edhe pas dështimit të skuadrës. Ai ka një kontratë deri në 2022 me federatën gjermane, kontratë kjo që u rinovua para se të fillonte kampionati botëror. Liga e Kombeve Në shtator fillon një epokë e re jo vetëm për Lëv, por për të gjithë futbollin gjerman. Trajneri do të jetë kështu nën presion, duke filluar që në ndeshjen e parë ndaj Francës. Nëse skuadra nuk do të arrinte të fitonte, atëherë do të rrezikojë të zbresë në një divizion më poshtë, një humbje që trajneri nuk mund t’ia lejojë vetes. Kjo do të ishte një situatë më e keqe se moskalimi i grupeve në Botëror. Ndeshjet e fundit do të luhen në nëntor, dhe nëse do të ndodhë ajo që asnjë nuk mund as ta mendoj, atëherë Lëv do ishte i pari që do të kërkonte largimin, shkruan Panorama Sport. Kjo mësohet të jetë diskutuar edhe në mbledhjen me drejtuesit, dhe pse mbetet vetëm një hipotezë. Në fund të muajit gusht do të shpallet edhe lista e lojtarëve që do të ringrejnë lavdinë gjermane në vendin e saj. Pritet rikthimi i Sane. Lojtari nuk u përfshi në listën përfundimtare të trajnerit me pretekstin që ai nuk ishte gati për të luajtur në Botëror dhe se ai nuk u përshtatej skemave të tij. Fillimi i një fundi apo fundi i një fillimi të trazuar për futbollin gjerman, Lëv është në garë me kohën.