Ferizaj

Gjatë vitit 2016 Gjykata Themelore në Ferizaj ka shqiptuar 47 vite e 7 muaj burgim për veprat penale

By FerizajPress

December 29, 2016

Gjykata Themelore në Ferizaj, të enjten më 29 dhjetor 2016, ka mbajtur konferencën përmbyllëse për vitin 2016, më ç’rast janë publikuar raportet dhe statistikat e punës, por edhe objektivat e arritura për këtë periudhë raportuese.

Kryetari i Gjykatës, Bashkim Hyseni, para të pranishmëve ka folur për të arriturat, planet si dhe objektivat përgjatë këtij viti. Duke folur për progresin e arritur në shkurtimin e kohëzgjatjes së shqyrtimit të proceseve gjyqësore, zgjidhjen e më shumë lëndëve në raport me lëndët e pranuara, si dhe për prioritetet e gjykatës ka thënë se rastet e trajtuara me prioritet në këtë gjykatë, në këtë vit kanë qenë trajtimi rasteve për veprat penale kundër terrorizmit, lëndët me natyrë korruptive e po ashtu edhe lëndët e vjetra të cilat konsiderohen lëndë të vjetra

Gjatë vitit 2016 si Gjykatë Themelore në Ferizaj, kemi shqiptuar 47 vite e 7 muaj burgim për veprat penale që lidhen me terrorizmin, kemi konfiskuar me aktgjykim të formës së prerë mbi 1.5 milionë euro pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, si dhe kemi përfunduar 35 lëndë me natyrë korruptive që shprehur në përqindje janë rreth 95% të lëndëve që kanë të bëjnë me veprat penale të natyrës së korrupsionit”, ka thënë Hyseni.

 

Duke folur rreth transparencës dhe llogaridhënies së Gjykatës për këtij vit, kryetari Hyseni tha se “i është kushtuar vëmendje e veçantë edhe transparencës duke bërë që publiku të ketë sa më shumë informacione sa i përket aktivitetit të gjykatës, ueb portali është funksional janë publikuar më shumë se 30 aktgjykime të formës së prerë, ndërkaq duke filluar nga janari të gjitha vendimet e formës së prerë do të publikohen në ueb portalin gjyqësor ashtu siç përcaktohet me udhëzimin administrativ për anonimizimin e aktgjykimeve, kështu që të gjithë qytetarët do të kenë qasje pa limit në vendimet të cilat iu interesojnë”

Kryetari Hyseni, para mediave paraqiti edhe të dhënat statistikore sa i përket raportit statistikor të punës së Gjykatës Themelore në Ferizaj për vitin 2016. Sipas këtij raporti Gjykata Themelore në Ferizaj, për periudhën e vitit 2016, ka pranuar gjithsejtë 4.960 lëndë, ka kryer 7.640 lëndë, ndërkaq lëndë të mbetura në punë janë 13.529. Sa i përket dënimeve gjykata gjatë këtij viti ka shqiptuar gjithsejtë 175 dënime me burgim efektiv, dënime me gjobë janë 521, dënime me aktgjykim me kusht 832, aktgjykime livruese 23, ndërkaq janë 132 dënime alternative përkatësisht punë në dobi të përgjithshme, ndërsa janë 30 masa të diversitetit.

Kryetari i gjykatës me këtë rast përmendi edhe decentralizimin e përgjegjësive që kanë ardhur nga KGJK-ja në Gjykatë, kryesisht në fushën e financave, personalit, rekrutimit, logjistikës, të cilin tranzicion gjykata sipas kryetarit Hyseni e ka kaluar me mjaftë sukses pasi është arrit që të përfundohen me kohë të gjitha përgjegjësitë që dalin nga ligjet në fuqi sa i përket këtyre fushave.