Lajme

Gjashtë të arrestuar për sulmin në Kuvend

By FerizajPress

August 30, 2016

Atdhe Arifi, Astrit Dehari, Adea Batusha, Egzon Haliti, Petrit Ademi dhe Frashër Krasniqi janë gjashtë të arrestuarit të cilët avokati Gashi i konfirmoi për KALLXO.com.

Avokati Tomë Gashi ka bërë publik emrat e gjashtë të arrestuarve për sulmin e 4 gushtit ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.

Arrestimi i tyre është bërë sot në mëngjes në një aksion të përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës pas një hetimi intensiv lidhur me sulmin në Kuvendin e Republikës së Kosovës të kryer më 4 gusht 2016.

Me anë të një komunikate, Policia e Kosovës thotë se ky hetim kompleks është trajtuar me teknika dhe masa të specializuara të hetimit dhe sot me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Prishtinë është kryer kontrolli i 6 (gjashtë) lokacioneve në Prishtinë, ku janë arrestuar gjashtë të pandehur dhe janë shoqëruar dy persona tjerë.

Gjatë zbatimit të urdhër-kontrollit, në cilësinë e provave materiale, janë sekuestruar: gjashtë armë zjarri, tre pushkë automatike, 2 revole, një karabinë, municion,  si dhe dëshmi tjera materiale që ndërlidhen me rastin. Sendet e sekuestruara do të ekzaminohen nga ekspertët e fushave përkatëse, thuhet në komunikatën e policisë.