Ferizaj

Fushatë vetëdijesuese për përfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara në arsim

By FerizajPress

December 01, 2017

Ferizaj.01.12.2017. Në kuadër të ditës botërore të personave me aftësi të kufizuara, një takim sensibilizimi e mbajti sot edhe shoqata ‘’Handikos’’ në këtë qytet. Me temën “Po të gjithë fëmijët munden”, kjo shoqatë sot hapi një kampanjë vetëdijesuese, ku gjatë javës dhe muajve në vazhdim, do të mbahen shumë aktivitete që do të avokojnë në përfshirjen e të gjithë fëmijëve të kësaj kategorie në arsim. Drejtues të ‘’Handikosit’’ thanë se Ferizaj ka nevojë për projekte shtetërore që do të ndikonin në përmirësimin e kushteve të personave me nevoja të veçanta.

“Deri më tani nga takimet me zyrtarë qeveritar, palë të interesit, prind e shumë të tjerë, janë identifikuar nevoja të ndryshme, mangësi të ndryshme, ku në bazë të tyre mendojmë që qeveria qendrore, por edhe ajo lokale duhet t’i kushtoj më shumë rëndësi kësaj fushe, pasi që tash për tash pak po bëhet në këtë drejtim, ndërkaq sa i përket fëmijëve të përfshirë në sistemin arsimor deri më tani kemi identifikuar 200 fëmijë që marrin shërbimet në ‘’Handikos’’, ndërkaq prej tyre 64 nuk janë të përfshirë në sistemin arsimor për shkaqe të ndryshme, ku një arsye kryesore del të jetë gjendja e vështirë ekonomike”, tha Xhemile Murseli nga ‘’Handikos’’.

Ata që më së shumti ballafaqohen me probleme janë familjarët e personave me aftësi të kufizuara. Majlinda Azemi, motra e një vajze me sindromën down, tregon se motra e saj i ndjekë mësimet, por përgjegjësinë për të e mbajnë vetë familjarët dhe jo institucionet.

“Realisht institucionet janë shumë pak të interesuara. Një problem është edhe mungesa e asistentëve tek mësimdhënësit që punojnë me këtë kategori të fëmijëve, ndërsa për transport është shumë problem, ne vetë angazhohemi herë motrat e herë nëna, ndryshe nuk na ofrohet asnjë ndihmë shtetërore në këtë drejtim” tha Azemi.

Një përpjekje e komunës për plotësimin e kushteve elementare të personave me aftësi të kufizuara në Ferizaj, u tha se është një projekt në infrastrukturën rrugore, i cili po vazhdon të zbatohet edhe këto ditë. Drejtoresha në detyrë e shërbimeve publike Mimoza Fazliu, tregon se kanë mbetur edhe shumë pak trotuare në qytet, të cilat duhet t’i përshtaten personave me karroca.

“Konkretisht ky projekt ka paraparë uljen e trotuareve ku ka vendkalime të këmbësorëve, kjo u ka ndihmuar shumë personave me aftësi të kufizuar, por edhe njerëzve të moshuar. Ky projekt është duke u zbatuar edhe gjatë këtij viti. Po ashtu ne kemi bashkëpunuar me ‘’Handikos’’-in dhe jemi duke i caktuar disa parkingje për personat me aftësi të kufizuara”, tha Mimoza Fazliu.

Ndërsa, u tha se për herë të parë komuna e Ferizajt sivjet ka nisur të bëjë evidentimin zyrtar të personave me aftësi të kufizuara në këtë komunë. Për këtë projekt është angazhuar Qendra për Punë Sociale.

“Deri më tani nuk i kemi ndarë akoma në moshë, por numri i tyre që qendra ka identifikuar ka mbërri në 590 persona me aftësi të kufizuara. Shumë shpesh shoqatat janë thirr me statistika të ndryshme, prandaj me qëllim të hartimit të projekteve të ndryshme, ne kemi marr iniciativë që ta bëjmë një data bazë zyrtare. Këtu ne bëjmë edhe thirrje tek të gjitha familjet që t’i lajmërojnë personat me nevoja të veçanta, sepse është në favor të tyre”, tha Shyqeri Mehmeti.

Në këtë tryezë që ishin ftuar përfaqësues të institucioneve të ndryshme në Ferizaj, shoqërisë civile, prindër e mysafirë të tjerë, dolën rekomandime të cilat ditëve të ardhshme do të dërgohen në qeverinë lokale dhe qendrore, transmeton televizioni Tema.