Lajme

Fundi i protestave të opozitës

By FerizajPress

April 05, 2016

Të tri këto parti kishin caktuar datën 26 mars si ditë të protestës së radhës, të cilën e proklamonin se do të ishte më e madhja e organizuar ndonjëherë në Kosovë. Por, në momentet e fundit, vetëm një ditë para se ajo të mbahej, partitë opozitare e anuluan atë, dhe filluan ta fajësojnë njëra – tjetrën prishje të unitetit.

Pavarësisht se përqarjen mundohen të mos e shfaqin edhe në opinion, partitë opozitare nuk po arrijnë që të gjejnë kompromisin për të vazhduar të bashkuar në kauzën e tyre për ta rrëzuar qeverinë.

Frashër Krasniqi zëdhënës i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë për lajmi.net se subjektet opozitare fillimisht janë duke diskutuar për të arritur një konsolidim më të madh mes vete, që do të mundësohej në saje të sqarimit të zhvillimeve të fundit brenda opozitës.

“Ne si Vetëvendosje  jemi që para çdo veprimi të përbashkët të krijojmë fillimisht një Alternativë qytetare, në të cilën përfshihet edhe shoqëria civile. Kjo do ta bënte kundërshtimin ndaj qeverisë më të fuqishëm dhe më masiv”.

“Normalisht që protesta do të ketë, shumë shpejt. Por për këtë pritet të vendoset ndërkohë”, është shprehur Krasniqi.

Muharrem Nitaj anëtarë i kryesisë së AAK-së, po ashtu ka thënë se nuk ka ndonjë datë se kur do të mbahet protesta.

“Ende nuk ka një përgjigje dhe një vendim se kur do të jeté protesta e radhës”, ka thënë shkurt ai.

Opozita kishte anuluar protestën e 26 marsit, me arsyetimin se koincidonte me festën e Pashkëve, dhe kishte paralajmëruar se ajo do të mbahej shumë shpejtë, gjë që edhe pas rreth dy jave nuk vërehet një gjë e tillë.

Ky anulim i protestës ishte  parë nga analistët, si moment i fillimit të përçarjes së opozitës, duke pasur parasysh edhe dallimet e mëdha që kanë VV dhe AAK lidhur me listën e përbashkët për zgjedhjet parlamentare. / lajmi.net.