Sport

FSK – kampione e Ligës, Posta-Vala fituese e Kupës së Ligës Institucionale për sezonin 2015/16

By FerizajPress

June 09, 2016

Ferizaj– Mbrëmë skuadra e FSK-së, në finalen e madhe mposhti SHFMU ”Imri Halili” me rezultat 3:1 për tu stolisur kështu me titullin e më të mirit në Ligën e Parë. Nën atmosferën e qindra shikuesve, kjo finale solli spektakël, lojë të bukur dhe fer, me raste të shumta ku nuk munguan as golat. Takimin më mirë e filloi skuadra e SHFMU ”Imri Halili’‘, e cila shënoi golin e parë përmes Arben Halilit, mirëpo i shpejt ishte reagimi i skuadrës së FSK-së, e cila pas disa minutash barazoi rezultatin, për të përmbyllur pjesën e parë me rezultatin 1:1. Në pjesën e dytë u zhvillua lojë shumë e bukur. Fillimisht, vlen të ceket se Fatlum Hajrullahu- lojtari i sezonit të parë nuk ishte aspak me fat, pasi që disa herë doli i vetëm para portierit, por fati nuk ishte në anën e tij. Rregulli i pashkruar i futbollit, ”Kur nuk shënon-pëson” erdhi në shprehje edhe në këtë ndeshje, pasi që FSK arriti të shënoi 2 herë në pjesën e mbetur, me anë të lojtarit të tyre më të mirë, Shefqet Ademit, i cili ishte njëherit edhe heroi i këtij takimi. Pas këtyre golave, FSK u koncentrua në mbrojtje për të ruajtur këtë epërsi, gjë të cilën edhe e arriti me mjaft sukses, për tu kurorëzuar kështu me titullin e kampionit.

Mbrëmë, edhe skuadrës fituese të Ligës së Dytë, tashmë anëtare e Ligës së Parë, OVL e UÇK-së iu nda kupa e kampionit. Kupa iu nda kapitenit të skuadrës, Nexhat Shahinit.

Posta-Vala, kampione e Kupës së Ligës Institucionale.

Në një ndeshje spektakël, skuadra e Luan Jahirit arriti me mjaft sukses të triumfojë në finalen e madhe, ndaj KF Spitalit me rezultat 4:0. Si duket skuadra e Spitalit nuk ishte në natën e tyre, pasi që Posta-Vala me mjaft lehtësi arriti të krijojë rastet, të shënojë golat dhe të fitojë takimin. Minutat e parë të ndeshjes ishin të barabartë, në të cilët skuadrat testonin njëra-tjetrën për të marrë në dorë lojën. Mirëpo më efikas në këtë aspekt doli skuadra e Posta-Vala, e cila arriti të shënojë e para në këtë takim. Spitali me anë të Sherif Topallit- lojtarit më të mirë të tyre, dhe top golashënuesit të Kupës, tentoi disa herë të gjejë barazimin, mirëpo ai ishte i markuar në mënyrën më të mirë nga mbrojtësit e Posta-Vala. Pjesa e parë përfundoi me rezultat 2:0 në të mirë të Posta-Vala. Edhe në pjesën e dytë, skuadra e kapitenit Përparim Mulaku vazhdoi kontrollin e ndeshjes, dhe kështu me golin e radhës sikur vulosi edhe fatin e këtij takimi. Të dy ekipet zhvilluan lojë të bukur, me aksione të shpejta. Të dy ekipet kishin rastet e tyre, por Spitali nuk arriti të gjente rrugën e golit. Më pas Posta-Vala gjeti edhe golin e katërtë, dhe kështu me shumë sukses e përmbylli takimin me rezultat 4:0. /AJ