Lajme

FRONTEX: ISIS-i po armatos refugjatët

By FerizajPress

December 28, 2016

Sipas një raporti sekret të shpërndarë në shtete të ndryshme të Europës dhe kryesisht tek ato që strehojnë mijëra refugjatë si Greqia dhe Gjermania, ka shumë mundësi që elementë xhihadistë të kenë penetruar në kampet e pritjes së refugjatëve.

Duke pasur parasysh se është në interes të xhihadisteve për të kulmuar krizën e emigrimit dhe për të kthyer kundër refugjatëve popullsinë e BE-së, infiltrimi i tyre në kampet e pritjes, duke shfrytëzuar dhe trajnuar disa prej atyre që ikin nga lufta, uria dhe varfëria ekstreme dhe që kërkojnë azil është tepër i mundshëm, thekson raporti. Gjithashtu, cilësohen si më të prekshmit ndër radhët e refugjatëve, disa nga elementët e sunitëve myslimanë nga Siria.

Drejtori ekzekutiv i FRONTEX-it, Fabrice Leggeri ka kërkuar që të gjithë vendet evropiane të jenë në gatishmëri të plotë ndaj sulmeve të mundshme terroriste.

Për të njëjtin rrezik kishte paralajmëruar disa javë më parë edhe EUROPOL-i, me anë të një raporti ku bënte fjalë për të paktën 300 raste prej prillit të këtij viti, kur xhihadistët u përpoqën të rekrutojnë refugjatë që ndodheshin në Evropë.

Në Greqi ka më se një muaj që ka filluar të zbatohet një plan për parandalimin dhe trajtimin e fenomenit të radikalizmit të myslimanëve që ndodhen në vend, si të atyre që janë në kampet e pritjes së refugjatëve, ashtu edhe në burgjet greke, ku mbi 5% e të burgosurve janë nga vendet ku xhihadistët kanë rritur ndikimin e tyre si Siria, Algjeria, Iraku, Maroku dhe Libia.

.