Lajme

Fotografi të rralla nga funerali i Atë Gjergj Fishtës dhe fjalimi i Hoxhë Hafiz Ali Krajës

By FerizajPress

December 31, 2016

Sot mbushen 76 vjet nga dita, kur ndërroi jetë Patër Gjergj Fishta. I quajtur Homeri shqiptar, kleriku shkrimtar, poet e prozator, publicist, arsimtar, estet, por edhe piktor e mbi të gjitha kontribuues i madh për mbrojtjen e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Në funeralin e Fishtës morën pjesë shumë personalitete të kohës, por mbahet mend mbi të tjerë, fjalimi i mirënjohur i hoxhës Hafiz Ali Kraja, i cili ishte gjithashtu personalitet i lartë i kohës, ndër intelektualët më në zë të Shkodrës së asaj kohe.

“Me ty, Patër Gjergj, Kombi naltësohet dhe madhënohet para popujve të tjerë, prandaj sot krejt populli shqiptar të përulet, djelmnia intelektuale vajton humbjen Tande e me lot ndër faqe të përcjell me mallënjim e dhimbje në jetën e pasosme”, janë disa nga fjalët e ndjera të hoxhës Hafiz Ali Kruja në ditën e largimit nga kjo botë të klerikut katolik, Atë Gjergj Fishta. Veç të tjerave, kjo fjalë është një dëshmi që bashkëjetesa fetare në Shqipëri, ka ekzistuar ndër breza.

Është një ndër fjalimet më të bukura të mbajtura në raste të këtilla. Ajo çfarë e bën më të veçantë, është fakti se si një hoxhë i thurr një tekst të tillë të lartë një prifti. Në këtë përvjetor të Fishtës, 27.al sjell fotografi të rralla të ceremonisë qysh nga momenti i fotografimit të maskës e deri tek trupi i pajetë i Atë Gjergj Fishtës, vendosur në arkëmort. Janë fotografi të realizuar nga fotografi i famshëm i kohës, Geg Marubi.

Më poshtë ribotohet fjalimi i hoxhës, Hafiz Ali Kruja bashkë me fotografitë që shoqërojnë funeralin e klerikut Atë Fjergj Fishta.

Fjalimi i i hoxhë, Hafiz Ali Kruja

Kur nji orator, tue dasht me folë mbi veprat tueja, rrin shtang, hutohet, pse janë shumë, janë të mëdhaja edhe të madhnueshme, aq sa asht e vështirë me caktue se për të cilën duhet të flitet…

Shkrimtarët e ardhshëm të historisë shqiptare jetën politike tanden do ta gjykojnë në bazë të “Lahutës së Malcisë”, kryevepra jote monumentale.

Të jesh i bindun, o Poet i Madh se shqyptari me “Lahutën e Malcisë” ka për të qenë gjithmonë kryenaltë siç janë helenët me Iliadën e persjanët me Shahnamen, mbasi Ti, me atë vepër të naltë i ke njoftue botës së qytetnueme psihikën e karakteristikat ma të ndieshmet e popullit shqiptar…

Me ty, Patër Gjergj, kombi shqyptar mburret, naltësohet edhe madhënohet para popujve të tjerë, prandaj sot krejt populli shqiptar të përulet, djelmnia intelektuale vajton humbjen Tande e me lot ndër faqe të përcjell me mallënjim e dhimbje në jetën e pasosme.

.