Ferizaj

Formohet Këshilli Drejtues i Galerisë së Arteve “Ismajl Rama” në Ferizaj

By FerizajPress

June 23, 2020

Orientimi i qeverisjes lokale, përveç investimit në projekte të shumta që bëjnë më të pasur jetën kulturore në Ferizaj, po dëshmohet edhe në rregullimin e infrastrukturës ligjore për institucionet e kulturës. Së fundmi, ishte rregullimi ligjor në nivel lokal me Statut i Galerisë së Arteve “Ismajl Rama” në Ferizaj. Konform rregullativës ligjore në fuqi, i pari i Ferizajt, Agim Aliu mori sot vendim për formimin për herë të parë të Këshillit Drejtues të Galerisë së Arteve “Ismajl Rama” në Ferizaj.

E anëtarët e Këshillit Drejtues të Galerisë që u caktuan me vendim të Kryetarit të Komunës, pas konsultave edhe me drejtues të Galerisë e komunitetin të artit pamor, janë artistë eminentë ferizajas në këtë përbërje: Lebibe Topalli, Habib Musliu, Agon Qosa, Ilmi Sadiku dhe Drilona Murseli.

Komuna e Ferizajt me rregullimin statutar dhe formimin e Këshillit të Galerisë së Arteve “Ismajl Rama” në Ferizaj, hap një kapitull të ri të zhvillimit të artit pamor në Ferizaj.