Editorial

Forca e argumeteve dhe gjuha e shkencës

By FerizajPress

July 20, 2018

Shkruan: Prof. Rizah RESHANI

Pas publikimit të një shkrimi tim për një pjesë të panjohur të varrimit të Dëshmorit të parë të UCK-së të ZO të Nerodimes, Nazmi Ukësmjali, pati edhe dy-tri shkrime për shtrirjen dhe organizimin e UCK-së në Jezerc. Ç’është e vërteta shkrimi im nuk është kontestuar nga askush, sepse është faktigrafik dhe maksimalisht i argumentuar. Pavarësish prej poentës dhe këndvështrimit të ndryshëm të autorëve të dy-tri shkrimeve të fundit, njëri prej të cilëve është historian dhe emër fort i respektuar edhe gjatë epopesë së lavdishne të UÇK-së, të tjerët janë ushtarë të orëve të para të pushkëve të lirisë, duhet të mos shpejtojmë me turravrape euforike sepse shkrimi i historisë u takon historiografëve. Ne mund të botojmë memoare, ditarë, poezi, tregime, copëza kujtimesh, përshkrime episodezh të organizimit e betejave të lavdishme të UCK-së, por historinë e mirëfilltë e shkruajnë historianët. Dhe, ajo bazohet në dëshmi, në dokumente arkivore, në prova si dhe në kujtimet e pjesëmarrësve që jane ende gjallë. Për këtë arsye shkrimet e tashme duhet të herren nga patetika, euforia, përvetësimi i meritave të tjetrit dhe nga meritomania. Gjuha e tyre duhet të jetë e kujdesshme, faktografike dhe jo polemizuese e përçarëse. Historia kërkon një të ashtuquajtur”horizonti i pritjes” në menyrë që të shkruhet me argumente dhe akrribi të mirëfilltë shkencore. Ky horizont i pritjes ende nuk ka kaluar, prandaj ne mund të bëjmë shkrime lavdëruese në FB e portale tjera, por të vërtetën e spikasin vetëm historiografët e vërtetë. Me këtë nuk po nënçmoj askend sepse kam konsiderate të veçantë ndaj gjithë ushtarëve të lirisë, sidomos ndaj atyre të Jezercit, që shkruan faqet më të lavdishme të Epopesë së UCK-së. Këtë të vërtetë supreme askush s’mund ta mohoj. Prandaj, shpërthimet e tashme të disa ish-luftëtarëve i shoh si copëza kujtimesh faktografike të dëshmitarëve të gjallë për një Monografi, të cilën mund ta shkruajnë historianët dhe publicistët. Kjo duhet bërë sa më parë sepse disa prej veteranëve janë të sëmurë dhe përditë po na e lënë lantumirën. Këtë është mirë ta shkruajnë ata që edhe nëse kaën qenë pjesë e UCK-së deri tash kanë dhënë prova se nuk bien në ujrat e subjektivizmit, patetizmit,meritokracisë, mediokriteteve, snobizmit, provincializmit dhe të ndikimeve ideologjike e partiake. Ndërkaq nuk është mirë tash të shkruhet historia sepse ekziston një thënie empirike se ” historinë e shkruan i forti “. Shkenca ndërkaq njeh forcën e argumenteve dhe jo argumentin e forcës. Për këtë arsye, duhet të kethjellim mendjet, të përmbahen emicionet dhe të mos biem viktimë e zhgënjimit të çastit, i cili nuk është kurrfarë aleati i së vërtetës shkencore e historike.