Kohavision ka kontaktuar me Hazer Agushajn, njërin prej familjarëve shtëpia e të cilëve u dogj sonte në mbrëmje në Veternik.
Agushaj ka treguar për televizionin se zjarrfikësit kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe se për fat të mirë të gjithë banorët e shtëpisë që ishin brenda në momentin e shpërthimit të zjarrit janë mirë.
“Nuk ka lëndime, unë edhe djali i vëllait kemi qenë pak më në rrezik por i kanë sjell shkallët zjarrfikësit e mirë jemi”, ka thënë Agushaj, teksa ka treguar se zjarri tashmë është ndalur.
Portali Koha.net ka kontaktuar me Qendrën e Alarmimit dhe Koordinimit Emergjent në Komunën e Prishtinës, e cila ka konfirmuar se bëhet fjalë për djegien e një shtëpie banimi nën të cilën ka qenë edhe furra e bukës Kosovarja pronë e kësaj familje. Nuk dihet ende se çka e shkaktoi zjarrin.