Ferizaj

Filluan punimet në ndërtimin e Fabrikës së Ujit në Talinovc të Muhaxherëve

By FerizajPress

July 01, 2020

Gjatë ditës së sotme në fshatin Talinovc i Muhaxherëve ka filluar punimet për ndërtimin e Fabrikës së Ujit. Nga afër fillimin e këtyre punimeve e ka përcjellur edhe numri një i qytetit të Ferizajt Agim Aliu, i shoqëruar nga drejtori i Shërbimeve Publike Arben Halil, drejtori i Urbanizmit Lulzim Aliu, drejtori i Bujqësisë Burim Bajrami i si dhe mbikëqyrës të punimeve.

Fillimin e ndërtimit të kësaj fabrike Kryetari Aliu, e ka vlerësuar si të një rëndësie tejet të madhe me vet faktin që qytetit të Ferizajt po ju shtohet edhe një fabrikë e ujit dhe do të ketë furnizim më të mirë për banorët.

“Jemi në një projekt shumë të rëndësishëm të Komunës së Ferizajt, me i rëndësishme se ka të bëjë me ujin dhe dihet që pavarësisht investimeve që kemi bërë për vite me radhë prape ndjehet mungesa e ujit, prape kemi kërkesa të qytetarëve në gjithë territorin e Komunës së Ferizajt për më shumë ujë. Edhe Ferizaj nuk bën përjashtim nga Kosova ka rezerva të vogla të ujit dhe kjo paraqet nevojën për shtim të kapacitetit të ujit në mënyrë që të ketë realizim të kërkesave të qytetarëve. Padyshim ky është njëri ndër projektet më të rëndësishme për këtë arsye, sepse do të ndërtohet fabrika që sipas kontratës do të sigurojë afërsisht 80 litra ujë për sekondë”, ka thënë Kryetari Aliu, përderisa ka shtuar se përmes kësaj fabrike do të furnizohen edhe disa fshatra të kësaj ane të cilat me vite të tëra kanë pasur mungesë të ujit.

“Do të furnizohen me ujë fshatrat madje që nuk kanë pasur as gypa të ujësjellësit, që bëhet fjalë për fshatrat Sojeve, Dardani dhe Zllatar. Kjo fabrikë e ujit do të stabilizojë gjendjen e furnizimit në pjesën urbane në këtë rast qytetit të Ferizajt, por edhe të fshatit Talinovc, të Fshatit të Vjetër dhe të fshatit Mirosalë”, është shprehur Kryetari i Komunës së Ferizajt Agim Aliu.

Ndërtimi i fabrikës së ujit në fshatin Talinovc i Muhaxherëve do të kushtojë 5 milion e 125 mijë euro vetëm gjatë fazës së ndërtimit ku këtu përfshihet edhe ndërtimi rezervuarit të ujit dhe gypit kryesor. Në fazën e tenderimit është projekti i shtrirjes së gypave për fshatrat Sojeve, Dardani dhe Zllatar dhe do të punohet paralel me ndërtimin e fabrikës së ujit, ndërkaq gjatë vitit të ardhshëm edhe këto fshatra do të kenë furnizim të rregullt me ujë të pijshëm.