Ferizaj

Filluan korrje-shirjet në Ferizaj

By FerizajPress

July 10, 2021

Kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka bërë të ditur  se në këtë komunë ka filluar procesi i korrje-shirjeve.

Me këtë rast, ai ka uruar bujqit për një fillim të mbarë dhe një fund të bereqetshëm të këtij procesi.

“Toka e begatë e Ferizajt, sivjet do t’i sjellë rreth 5 tonelata rendiment për hektarë, punë fisnike e me djersën e ballit nga bujqit ferizajas për bukën në sofrën tonë të përditshme. Qoftë i begatë si për bujqit ashtu edhe për ekonominë lokale ky prodhim në korrje-shirjet e sivjetme” ka shkruar kryetari Aliu.

Për të uruar bujqit që ky sezon të jetë i begatë, drejtori i Bujqësisë dhe Pylltarisë, Burim Bajrami vizitoi sot bujkun Halit Berisha nga Mirosala dhe vijoi vizitën në Papaz, ku pa nga afër punën që po zhvillohej.

Drejtori Bajrami duke uruar bujqit në nisje të fushatës së korrje-shirjeve, u shpreh se rendimenti i sivjetmë pritet të jetë rreth 5 tonelata për hektarë, rendiment ky i lartë për fushat e Ferizajt të mbjella me grurë.