Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), sot hapi zyrtarisht vitin e ri akademik 2025/2026 me një ceremoni solemne në Amfiteatrin “Hyzri Beqiri – Varoshi”.
Në këtë ngjarje të rëndësishme morën pjesë studentë, staf akademik e administrativ, përfaqësues të institucioneve lokale e qendrore dhe mysafirë të shumtë. Atmosfera festive u shoqërua me emocione dhe pritshmëri për një vit të ri plot dije, mundësi e sfida të reja.
Rektori i UShAF-it, Prof. Dr. Agron Bajraktari, shprehu mirënjohje dhe emocion të veçantë në këtë ditë solemne, duke e cilësuar Universitetin si një të respektuar në tërë Kosovën, falë programeve të akredituara, projekteve kërkimore dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare. Në fjalën e tij, ai u përkul me respekt para të kaluarës:“Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit! Nderim i veçantë për të gjithë luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët me gjakun dhe sakrificën e tyre na sollën lirinë. Sot, nuk mund të mos përmendim me respekt e falënderim Presidentin Hashim Thaçi, z. Kadri Veseli dhe të gjithë udhëheqësit e asaj kohe, që udhëhoqën proceset e vështira drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetformimit.”
Ai uroi studentët e rinj mirëseardhje në këtë “tempull të dijes”, duke i inkurajuar të punojnë me përkushtim, të zhvillojnë aftësitë profesionale dhe njerëzore, dhe të shfrytëzojnë çdo mundësi që Universiteti ofron. “Ju studentë të rinj, jeni arsyeja pse ky moment është kaq i veçantë. Këtu do të rriteni, do të sfidoni veten dhe do të përgatiteni për të ardhmen tuaj,” theksoi Rektori.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, z. Agim Aliu, në fjalën e tij vlerësoi rolin që Universiteti ka për qytetin dhe rininë: “UShAF është një ndër shtyllat kryesore të zhvillimit të Ferizajt. Ju studentë, me dijen dhe përkushtimin tuaj, do të bëheni gjenerata që do të udhëheqë ndryshimin dhe progresin e këtij vendi. Komuna e Ferizajt do të jetë gjithmonë në krah të këtij institucioni dhe të rinisë sonë, sepse vetëm përmes arsimit të fortë ndërtojmë një të ardhme më të mirë.”
Ai gjithashtu theksoi edhe një herë përkushtimin e tij personal dhe të Komunës sa i përket lokacionit të dedikuar për Universitetin, duke e cilësuar atë si një investim strategjik për të ardhmen akademike dhe zhvillimore të qytetit.
Gjithashtu, Kryetarja e Parlamentit falënderoi Rektorin dhe stafin akademik për përkushtimin dhe mbështetjen e tyre në zhvillimin e Universitetit, duke e cilësuar UShAF-in si një qendër të rëndësishme të dijes dhe inovacionit. Ajo iu drejtua edhe studentëve, duke i këshilluar që të përballojnë sfidat me guxim dhe të ecin përpara drejt të ardhmes me vendosmëri.
Ceremonia u përmbyll me një moment të veçantë, ku Rektori Bajraktari, në emër të Universitetit dhe me vendim të Senatit të UShAF-it, i dorëzoi Kryetarit të Komunës së Ferizajt, z. Aliu, titullin “Anëtar Nderi” i UShAF, si shenjë mirënjohjeje për mbështetjen e vazhdueshme dhe kontributin e tij në zhvillimin e arsimit të lartë dhe forcimin e lidhjes mes Universitetit dhe komunitetit lokal.
UShAF u uron të gjithë studentëve një vit të mbarë dhe të suksesshëm, duke i ftuar të kontribuojnë me dije, kreativitet dhe pasion në ndërtimin e së ardhmes së tyre dhe të shoqërisë sonë.