Ferizaj

Fillon turneu dyditor i Beach Volley

By FerizajPress

July 23, 2016

Në Ferizaj të shtunën ka nisur turneu dy ditorë i volejbollit në rërë ose i njohur si Beach Volley në të cilin në të dyja konkurrencat po marrin pjesë 12 ekipe të meshkujve dhe 8 ekipe të femrave garues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria dhe Kosova Lindore. Ky turne dy ditor sportiv sivjet për herë të parë po mbahet nën patronatin e kryetarit të Ferizajt, Muharrem Svarqa, i cili në hapje të këtij manifestimi premtoi përkushtimin e tij dhe të qeverisë lokale për mbështetjen e sportit në përgjithësi. Turneu ka karakter garues dhe hynë në kuadër të aktivitetit “Ditët e diasporës”. “Mbështetja nuk do të mungoj edhe për sportet të cilat sjellin atraksione të ndryshme në Ferizaj e më gjërë. Ky turne po mbahet në kuadër të “Ditët e të Diasporës” me moton “Ti je pjesë e atdheut” dhe ftojë të gjithë bashkatdhetarët tanë që të marrin pjesë në këto aktivitete që janë organziuar enkas për ju”, ka thënë Svarqa. Në anën tjetër, kryetari i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Abedin Ibrahimi, ka thënë se është hera e shtatë që një turne i tillë po organizohet në Ferizaj, ndërsa i pari nën patronatin e kryetarit të Ferizajt. “Ky turne tashmë tradicional synon që ta promovoj këtë sport edhe tek ne, ndërsa po mendohet që herëve të tjera të organizohet edhe ndonjë garë me karakter ballkanik” ka thënë Ibrahimi. Ndryshe, pritet që ky turne i cili po mbahet në sheshin e qytetit të Ferizajt të përfundojë nesër ku edhe pritet që ekipet fituese do të stolisen me mirënjohje, medalje dhe kupa.