Ferizaj

Fillon rimbursimi për 10 për qindëshin e tërhequr nga TRUST

By FerizajPress

August 02, 2023

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton se ka transferuar në llogarinë e TRUST-it mjetet për rimbursimin e një pjese të kontribuesve, të cilët kanë tërhequr kontributet pensionale gjatë periudhës dhjetor 2021-prill 2022, sipas Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.

Shpërndarja nëpër llogari të 12,090 kontribuesve është realizuar nga TRUST gjatë ditës së sotme, në përputhje me metodologjinë e dakorduar në mes të MFPT dhe TRUST.

Rimbursimi këtë vit është bërë për personat të cilët kane dalë apo pritet të dalin në pension deri në fund të vitit 2023. Rimbursimi do të vazhdojë vitin e ardhshëm për personat që pritet të dalin në pension gjatë vitit 2024 e kështu me radhë, deri në përmbylljen e plotë të rimbursimit për të gjitha gjeneratat e tjera deri në vitin 2028.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve do të sigurojë shumën vjetore të rimbursimit, ndërsa TRUST do të bëjë shpërndarjen e shumave direkt tek qytetarët. Pra, për rimbursim nuk do të ketë nevojë për aplikim, pasi që rimbursimi realizohet automatikisht nga TRUST.