Ferizaj

Fillon projekti “ Për një shoqëri pa drogë”

By FerizajPress

May 18, 2016

Këshilli i Veprimit rinor Lokal në Kaçanik ka filluar implementimin e projektit “ Për një shoqëri pa drogë” i cili është përkrahur financiarisht nga fondet e Bashkimit Evropian përmes organizatës “ Labyrinth” dhe me bashkëfinancim të Komunës së Kaçanikut.

Në debatin e organizuar sot, i cili kishte më shumë karakter informues, Fatmir Qaka- Koordinator për rini tha se ky projekt është bazuar në strategjinë lokale kundër përdorimit të drogave, ndërsa shtoi se në të njëjtën kohë do të implementohet edhe një projekt tjetër kundër përdorimit të substancave narkotike nga organizata “ PEN”. Ndërkohë Psikologja Mirlinda Hysa në ligjëratën e saj elaboroi në detaje temën “ Ndikimi i përdorimit të drogave në aspektin psikologjik dhe fizik”. Ajo shtoi se në këtë aspekt rol të madh luajnë edhe shkollat, ndërsa përmendi si shqetësim mungesën e psikologëve nëpër institucionet shkollore. Në këtë debat prezantoi edhe sociologia Bukurie Sopa. Të rinjtë pjesëmarrës në këtë sesion informues, u interesuan të dinë më tepër për ndikimin e substancave narkotike ne organizmin e njeriut si dhe problemet psikologjike dhe sociale, ndërsa kërkuan nga institucionet që të kenë më shumë vëmendje karshi kësaj çështjeje. Në kuadër të këtij projekti janë paraparë edhe shumë aktivitete vetëdijesuese, të cilat do të realizohen ditëve ne vijim siç janë punëtoritë me nxënësit e shkollave të mesme, shfaqje artistike me karakter vetëdijesues kundër përdorimit të drogave të ndryshme, koncert me moto “ Stop drogës”, aktivitete arti si dhe kampanjë vetëdijesuese përmes broshurave, posterave etj.