Lajme

Fillojnë vizitat shëndetësore për nxënësit e shkollave të Prishtinës

By FerizajPress

March 14, 2017

Në koordinim me Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës dhe me ndihmën e Drejtorisë Komunale të Arsimit këto vizita organizohen për të katërtin vit me radhë dhe kanë si synim kontrollin shëndetësor të të gjithë nxënësve në këto paralele, njofton Klan Kosova.

Këtë e ka bërë të ditur nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu përmes një statusi të publikuar në llogarinë e tij në facebook, e të cilin mund ta lexoni më poshtë:

”Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë, në koordinim me Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës dhe me ndihmën e Drejtorisë Komunale të Arsimit ka filluar vizitat sistematike shëndetësore për nxënësit e klasave të para, të pesta dhe të nënta.

Këto vizita organizohen për të katërtin vit me radhë dhe kanë si synim kontrollin shëndetësor të të gjithë nxënësve në këto paralele, parandalimin e sëmundjeve, promovimin e shëndetit dhe edukimin shëndetësor.

Ky vit është shumë i rëndësishëm, pasi plotëson ciklin prej katër viteve, me ç’rast tanimë janë përfshirë të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri te klasa e nëntë.

Lusim të gjithë prindërit e fëmijëve në këto paralele, për bashkëpunim dhe koordinim të plotë me stafin shëndetësor si dhe me mësuesit dhe kujdestarët e klasave përkatëse”, ka përfunduar Sejdiu, njofton Klan Kosova.