Kaçanik– Kanë filluar punimet në ndërtimin e Parkut të Qytetit- faza e dytë. Kjo u bë e ditur sot në mbledhjen e rregullt të ekzekutivit e udhëhequr nga Kryetari i Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi dhe Nënkryetari i Komunës Remzi Elezi. Kryetari Ilazi fillimisht uroi Ukshin Qallakun për marrjen e detyrës së re, Ushtrues Detyre i Drejtorit për Urbanizëm, Kadastër dhe Mbrojtje të Mjedisit, duke i dëshiruar atij suksese gjatë punës në vijim.
Drejtori për Shërbime Publike dhe Emergjenca Ramadush Osmani tha se punimet tek Parku i Qytetit janë duke u zhvilluar normalisht dhe se tashmë është bërë pastrimi i terrenit dhe rrënimi i murit ndarës. Drejtori për Arsim dhe Kulturë Enver Kamishi, njoftoi se Olimpiada e Kimisë në nivel komunal për klasat e IX-ta dhe X-ta do të mbahet me 16 Prill, ndërsa nga tre nxënës më të mirë nga klasat përkatëse IX dhe X do të marrin pjesë në Olimpiadën e Kimisë e cila do të mbahet në Kolegjin “ Mehmet Akif” me 15 maj. Drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale Diana Reka, tha se këtë javë KFOR-i polak do të ndihmoj disa familje skamnore me veshmbathje dhe pajisje shkollore për fëmijë. Drejtoresha Reka tha se këtë muaj furnizimi me barna ka qenë relativisht i mirë. Bahri Selimi- Drejtor për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim tha se shuma totale e realizuar e të hyrave vetanake komunale gjatë muajit mars ka qenë 46,026.28 nga të hyrat direkte dhe 1,325.00 nga të hyrat vetanake indirekte- gjobat e trafikut. Ndërkohë, Menaxherja e Personelit Hidajete Guri tha se zyra e personelit është duke punuar në raportet lidhur me çështjet e personelit për Departamentin e Administrimit të Shërbyesve Civil pranë Ministrisë së Administratës Publike, ndërsa sa i përket integrimeve evropiane është duke u punuar në hartimin e raportit tre mujor lidhur me Planin e Veprimit për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.