Ferizaj

Fillojnë diskutimet publike për prezantimin e draft Hartës Zonale

By FerizajPress

November 08, 2018

Pasditen e sotme, në ambientet e Kuvendit të Komunës, drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mjedisit në Ferizajt, Lulzim Aliu mbajti diskutimin publik për prezantimin e Draft Hartës Zonale, kushtet dhe kriteret në të cilat bazohet ushtrimi i tyre, dokument me rëndësi të jashtëzakonshme për planifikimin hapësinor të zonave të qytetit.

Pjesë e këtij diskutimi publik ishin dhjetëra qytetarë të cilët paraqitën vërejtjet, sugjerimet dhe propozimet e tyre përkitazi me këtë dokument dhe orientimin e planifikimit urban në zona përkatëse.

Drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mjedisit, Lulzim Aliu tha se ky dokument që do të implementohet për herë të parë në Komunën e Ferizajt do t’i jap orientimin e drejtë investimeve në territor dhe zgjerimin, përkatësisht zhvillimin e përgjithshëm të qytetit. Ai gjithashtu tha se që nga sot, nis cikli i diskutimeve publike për këtë dokument dhe se si i tillë do të kompletohet edhe me komentet nga ana e qytetarët, ku inkurajoi këta të fundit që të marrin pjesë masivisht në këto organizime.

Të nesërmen duke filluar nga ora 13:00, organizohet diskutimi i radhës publik ku do të bëhet prezantimi i draft projektit të hartës zonale, diskutim që do të mbahet në shkollën “Jeta e Re” në Greme, me banorët e fshatrave Greme, Gaçkë dhe Doganaj.