Ferizaj

Filloi viti i ri akademik në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj

By FerizajPress

October 03, 2016

Me një ceremoni solemne, Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) ka pritur sot studentët, duke shënuar kështu edhe ditën e parë të fillimit të vitit të ri akademik 2016/2017.

Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari iu dëshiroi mirëseardhje në Universitet studentëve, e sidomos studentëve fillestarë, të cilët në një garë të madhe arritën të bëhen pjesë e këtij universiteti, ndërsa iu uroi atyre suksese në jetën akademike.

“Sot, me regjistrimin e juaj pranë Universitetit tonë, ka filluar një jetë e re për ju, jo vetëm për faktin se që nga sot jeni pjesë e institucionit tonë, por nga sot ju keni zgjedhur të ardhmen tuaj, të profesionit tuaj, i cili do të jetojë bashkë me juve gjatë gjithë jetës”, iu tha rektori Bajraktari studentëve, ndërsa theksoi se ata tashmë janë anëtarët e rinjë të familjes dhe u shpreh i sigurtë se rrugëtimi i përbashkët do të sjellë shumë vlera.

Rektori Bajraktari iu tha studentëve se profesioni që kanë zgjedhur është unik në Kosovë dhe se ata do të kenë mundësinë të studiojnë në një ambient shumë të mirë, me një staf të jashtëzakonshëm, me një mësim të kombinuar teorik dhe praktik. “Ne tashmë kemi krijuar një rrjet të gjerë të bashkëpunimit dhe kjo rritë vlerat e institucionit tonë. Kjo e bënë më të lehtë arritjen e objektivit për neve dhe për juve. E them këtë, sepse ne tani kemi disa marrëveshje bashkëpunimi. Kemi një numër të madh të marrëveshjeve me biznesin privat si dhe me institucione vendore dhe ndërkombëtare”.

Duke folur për kushtet e punës dhe të studimit, rektori Bajraktari tha se po punojmë shumë që të kemi edhe laboratore. “Shumë shpejtë do të kemi edhe laboratorin e Arkitekturës së Interierit dhe Dizajnit të Mobileve dhe shpresojmë që në vitin e parë të të studimit, do të kemi edhe laboratorin e Inxhinierisë Industriale me Informatikë dhe një pjesë nga laboratori për menaxhimin e Hotelerisë dhe Turizmit”.

“Në fakt, ju studentë të dashur, jeni ata të cilët në vazhdimin dhe në përfundimin e studimeve do të na bëni të ndihemi krenarë të gjithëve”, tha rektori Bajraktari, ndërsa për punën që është bërë dhe sukseset e shumta që janë arritur për vetëm një vit jete sa ka UShAF si universitet, falënderoi stafin akademik dhe atë administrativ për punën e palodhshme.

“Nuk ka më mirë se sa të krijosh një universitet cilësor, një universitet të fortë, nga i cili ne shpresojmë se do të nxjerrim kuadro që do të plotësojnë kërkesat e shtetit tonë të ri. Jemi me fat që pas një të kaluare të tmerrshme, pas një historie shumë të dhimbshme, por edhe krenare, sot kemi një universitet që ofron studime cilësore dhe do të nxjerrim kuadro që do të ndërtojnë me shumë cilësi Kosovën tonë”, tha ai.

Pasi që porositi studentët që të studiojnë dhe të punojnë shumë, rektori Bajraktari iu premtoi atyre se do ta kenë përkrahjen e tij, prorektorëve, dekanëve dhe mësimdhënësve gjatë tërë kohës sa do të zgjasin studimet e tyre. “Ne do të jemi shumë të lumtur kur do t’ju shohim duke punuar në institucione të ndryshme, në profesionin tuaj. Do të ndjehemi shumë mirë t’ju shohim të zotët e profesionit tuaj”, tha rektori Bajraktari.