Ferizaj

Filloi asfaltimi i rrugës 9 kilometërshe në Mirash

By FerizajPress

October 08, 2018

Investimet infrastrukturore janë shtrirë në gjithë territorin e Ferizajt. Në shumë fshatra dhe zona të qytetit po punohet me intensitet të lartë për të finalizuar projekte të ndryshme qoftë të infrastrukturës nëntokësore, po ashtu edhe në asfaltimin e rrugëve të ndryshme. Sot, nisi edhe një projekt më se i nevojshëm për banorët e fshatit Mirash dhe zonave përreth, gjegjësisht asfaltimi i rrugës prej afro 9 kilometra që rrethon gjithë fshatin, me gjerësi rrugë 6 metra. Për t’i uruar banorët e zonës për këtë projekt si dhe për të parë evoluimin e tij, doli i pari i Ferizajt, Agim Aliu, bashkë me drejtorin e Drejtorisë së Infrastrukturës, Arbër Bytyqi si dhe drejtorët e drejtorive të arsimit dhe bujqësisë, Burim Bajrami dhe Afrim Llabjani. Ai vlerësoi si tejet të nevojshëm këtë investim që po realizohet nga qeverisja lokale, për faktin se rruga që lidhte lagjet e ndryshme të këtij fshati dhe rruga kryesore ishin në gjendje katastrofale dhe e rrezikshme për kalimtarët. Tutje, drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës, Arbër Bytyqi tha se ky projekt përfundimisht do t’i jap fund vuajtjeve të qytetarëve që frekuentojnë në këtë rrugë.