Lajme

Fevziu: Po mbijetojmë me para droge, jemi vend mafiozësh

By FerizajPress

February 11, 2017

Fevziu thotë gjithashtu se dikur deputet bëheshin intelektualët, ndërsa tani kryesisht bëhen ata persona që kanë probleme me ligjin.

Ti që vazhdimisht pyet, a e ke problem të përgjigjesh?

B.F. Në asnjë rast. Përgjigjia më jep po aq kënaqësi sa edhe pyetja. Madje mund te jem nga të paktët njerëz që kënaqësinë e ndaj në dysh në këtë rast. Dhe në mënyrë të barabartë mes pyetjes dhe përgjigjes.

Gjithë kohën në këmbë, gjithë kohën në lëvizje, ku e gjen gjithatë energji, sa orë gjumë fle, çfarë ha, çfarë pi?

B.F. Besoj se kam qenë gjithnjë energjik. Por po ashtu besoj se energjia motivohet nga pasioni për punën që bëj. Nga sfida e përditshme, nga gara, nga ideja që të tjerët të ndjekin dhe ti duhet të jesh së paku në pritshmërinë e tyre. Po të rrëfej një sekret. Të enjten deri në orën 17:00 kishim në plan një përballje të Ben Blushit me gazetarë. Pastaj ndodhi grabitja e Rinasit dhe ndërruam temë. Në vetëm 4 orë dolëm në transmetim me 7 të ftuar të rinj dhe 14 kronika të plota. Në fund vëmendja ishte maksimale. Fle mirë. Fle afro 7 – 8 orë natën. Por me orarë të ndryshme nga shumica e njerëzve. Bie të fle rreth orës 02:30 të natës dhe zgjohem në 10:00 të mëngjesig. Në 11:00 dal dhe gjithë dita është punë. Ha në zyrë zakonisht. Ha gjithnjë në të njëjtën orë dhe kryesisht shumë lehtë. Kjo nuk do thotë që s’e ruaj ende dashurinë time të pakufi për byrekun.

Më ka mbetur në mendje biseda jote me Isuf Vrionin. Besoj se është komunikimi me nivelin më të lartë bërë ndonjëherë në televizionet shqiptare. Cilën kujton si më të mirën bisedë apo intervistë?

B.F. Ajo me Jusuf Vrionin e vitit 2000 është padyshim ndër më të mirat. Vrioni ndërroi jetë një vit më pas dhe bashkë me të, Shqiperia humbi intelektualin e fundit ekselent që bashkonte dy kohë. Shqiperinë e dikurshme me Shqiperinë e re. Midis këtyre të dyjave qëndronte si një hon ose një varr Shqipëria komuniste. Ajo që vetëm mund të nëmej. Të rëndësishme dhe shumë interesante konsideroj disa intervista me Kadarenë dhe padyshim ajo me Geraldinën e Shqiperisë.

Pse tranzicioni ynë nga një pritshmëri e ethëshme për të qënë një vullkan idealizmi u shndrrua në një oqean hajdutllëku? B.F. Sepse ndoqi traditën më klasike të zhvillimit të brendshëm. Atë traditë që katragjyshi im e kishe përmbledhur më disa fjalë në faqen e brendshme të koleksionit të revistës Dituria të Lumo Skëndos: punët e mira i nisin idealistët, i marrin në dorë kriminelet dhe i shfrytëzojnë hajdutët. E ka shkruajtur këtë në 1909 me alfabetin e Manastirit. 108 vjet më pas mbetet njësoj.

A jemi vend që mbijeton kryesisht me pare droge dhe trafiku në duar mafjozësh dhe banditësh?

B.F. Nuk kam asnjë dyshim për këtë. Por kam vetëm një keqardhje. Po bëhet gjithnjë e më keq. Dikur në Parlament hyje nëse ishe njeri i ditur dhe i shkolluar. Sot kryesisht hyn nëse ke dhënë prova që ke probleme me ligjin.

Tani që anembanë Shqipërisë jo vetëm e mbjellin dhe e trafikojnë por edhe e tymosin, ta merr mendja se hashashi do shkulet ndonjëherë nga viset tona?

B.F. Ka pasur shumë gjëra që ngjanin të pashkulshme në viset tona, historikisht. Pastaj janë shkulur me gjithë rrënjë. Pëe shembull dashuria për Bashkimin Sovjetik dhe këngët ruse sot nuk ekzistojnë më. U shkul Marksi me Engelsin, Madje morën me vete edhe Lenin e Stalinin. Besoj se shkulet, por para se të ndodhë kjo, do shkulë edhe shumë vlera të këtij vendi. Por këto janë gjëra që kështu ndodhin dhe s’ke ç’u bën.

Lidhur me Reformën në Drejtësi, sa larg jemi kur, ta zemë, një prokuror i Pukës apo Leskovikut, do mund të padisi cilindo shtetas, ministër, Kryeministër?

B.F. Mua më duket ende ëndërr. Po shihja Apelin federal të San Franciskos që bllokoi urdhërin ekzekutiv të Trampit për ndalimin e qytetarëve nga 7 shtete për të hyrë në Amerikë. Kjo tek ne nuk do ndodhë edhe për shumë kohë. Kur të ndodhë, gjërat do jenë shumë ndryshe.

Pse “elitat” e banditëve tanë lëvizin, ndryshojnë, ndërsa elitat intelektuale jo ? Sepse nuk ekzistojnë ? Ekzistojnë por nuk u besojmë ? Apo sepse ekzistojnë dhe u besojmë, por me këtë thurje socio-institucionale që kemi, nuk mundemi t’i vemë të bëjnë punën që u përket?

B.F. Nuk e di a kemi elita intelektuale të mirëfillta, por edhe nëse kemi janë të pandjeshme dhe të trembura. Vijojnë ende të dominojnë elitat fallco të pompuara sipas një hierarkie ideologjike në vitet e kumunizmit. Elitat e reja janë ende mosbesuese. Por edhe një gjë, i kemi shumë të izoluara. Nuk kemi elita që nderveprojnë; elita që japin e marrin me perëndimin, që botojnë në nivele ndërkombëtare dhe janë pjesë e këtij debati. Kemi elita, që sic tallej Noli në përkthimin e tij të Don Kishotit janë edukuar në Universitetin e Rrogozhinës dhe debat intelektual nuk i kalon kufijtë e atij vetë. Nëse nuk do ta thyejmë izolimin tonë intelektual, nëse nuk do bëhemi pjesë e elitave botërore, ky diskutim është i vdekur.

Si po të duket www.ypi.al ?

B.F. Po aq fun, po aq antikonformist, po aq provokativ sa edhe botuesi i tij.

/ypi.al/