Ferizaj

Festivali i Teatrove në Ferizaj në Edicionin e 55-të: Një Jubile me Risi, Traditë dhe Ribrendim

By FerizajPress

September 01, 2025

Ferizaj, 2025 – Edicioni i 55-të i Festivalit të Teatrove në Ferizaj shënon një moment të rëndësishëm në historinë e kësaj ngjarjeje kulturore mbarëkombëtare. Jo vetëm që dëshmon për traditën dhe qëndrueshmërinë mbi gjysmë shekulli të festivalit, por njëkohësisht sjell një transformim të plotë për të katërtin vit me radhë.

Sipas organizatorit të festivalit, z. Besim Ugzmajli, ky edicion paraqet një kombinim mes ruajtjes së bërthamës tradicionale – konkurrencës së shfaqjeve teatrale nga e gjithë hapësira shqiptare – dhe një qasje të re, moderne që pasqyrohet në përfshirjen e aktiviteteve shtesë si punëtoritë, panelet dhe ndejat muzikore.

“Ky edicion është ndër më të rëndësishmit edhe për shkak të vitit jubilar por, edhe për shkak të përmbajtjes së shfaqjës jashtëzakonisht konkurruese ku shumica e shfaqjeve të tilla janë të vlerësuara edhe nga festivale tjera” u shpreh Ugzmajli.

Përveç garës kryesore të shfaqjeve, programi i festivalit këtë vit përfshin edhe kategorinë “Youth and Black Books”, ku tri shfaqje janë të dedikuara posaçërisht të rinjve – një segment që shpeshherë mbetet në hije në skenën teatrore kulturore.

Dy panele diskutimi do të trajtojnë temat e ndjeshme si:Roli i grave dhe krimet ndaj tyre gjatë kohës së okupimit, si dheBallafaqimi i shoqërisë me teknologjinë në shekullin e ri.

Gjithashtu, festivalin e pasurojnë edhe dy punëtori ndërkombëtare mbi aktrimin dhe performancën, të udhëhequra nga artistet:Janina Carbonario nga Rumania, dheSennen Jeffer nga Turqia.

Këto punëtori do të kenë pjesëmarrës nga Kosova, Maqedonia dhe Rumania përfshirë studentë, aktorë dhe profesionistë të fushës.

“Presim që gjithçka të shkojë mbarë dhe mirë. Ky është një prej edicioneve më të suksesshme që kemi organizuar ndonjëherë,” – përfundoi Ugzmajli.