Ferizaj

Ferizaj vazhdon mbështetjen për bujqit: 29 fermerë përfitojnë sisteme moderne të ujitjes

By FerizajPress

June 26, 2025

Ferizaj, 26 Qershor 2025 – Komuna e Ferizajt, përmes Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë, ka realizuar edhe një projekt të rëndësishëm në mbështetje të sektorit bujqësor. Në kuadër të kësaj nisme, 29 bujq ferizajas janë përfitues të sistemeve të ujitjes, të kompletuara me tuba, pompa zhytëse dhe pompa profesionale.

Këto pajisje janë të domosdoshme për zhvillimin dhe modernizimin e aktivitetit bujqësor, duke mundësuar menaxhim më efikas të ujit, rritje të prodhimit dhe kursim të kostove operative. Bëhet fjalë për një mbështetje konkrete që synon të fuqizojë prodhimin vendor të kulturave të ndryshme bujqësore si perimet dhe frutat.

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, në postimin e tij ka theksuar rëndësinë e këtij investimi për përmirësimin e kushteve të punës për fermerët lokalë. Ai ka nënvizuar se politika komunale në bujqësi është e orientuar drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe rritjes së kapaciteteve prodhuese të fermerëve ferizajas.

Ndërkaq, drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Burim Bajrami, ka theksuar se kjo mbështetje është pjesë e strategjisë së institucionit për të krijuar kushte më të mira infrastrukturore në sektorin e bujqësisë, në mënyrë që fermerët të përballen më lehtë me sfidat klimatike dhe të arrijnë rendimente më të larta.

Projekti është mirëpritur nga fermerët përfitues, të cilët kanë falënderuar institucionet komunale për ndihmën konkrete dhe të vazhdueshme në avancimin e praktikave bujqësore. Përmes këtij programi, Komuna e Ferizajt konfirmon edhe një herë angazhimin për të mbështetur drejtpërdrejt sektorin qëndror të zhvillimit ekonomik lokal – bujqësinë.