Ferizaj

Ferizaj shënon Ditën e Dëshmorëve të UÇK-së

By FerizajPress

September 28, 2016

Me një varg manifestimesh sot në Ferizaj është shënuar 28 Shtatori – Dita e Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për rajonin e Ferizajt.

Kjo ditë ndërlidhet me betejën e njohur si “Epopeja e Jezercit”, që u zhvillua në fundin e shtatorit të viti 1998, me ç’rast në këtë vend ranë me armë në dorë luftëtarët e UÇK-së, Gursel e Bajram Sylejmani, Kemajl Hetemi, Sejdi Sejdiu, Sali Baliu, Lulzim Guta, Arsim Zeqiri, Bashkim Vishi dhe Nazim Terziu.

Fillimisht një akademi përkujtimore kushtuar kësaj dite është mbajtur në Kuvendin Komunal të Ferizajt, e cila u organizua nën patronatin e kryetarit të Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa.

Fillimisht të pranishmëve me një fjalë rasti i është drejtuar kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Ferizajt, Faruk Guri. Ai ka folur për këtë ditë duke e lartësuar Epopenë e lavdishme të UÇK-së.

Me këtë rast nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Xhavit Zarqi ka vënë në dukje para 18 vitesh, në Jezerc u zhvillua njëra nga ngjarjet më kulmore të historisë së trevës sonë, që dëshmoi edhe një herë vendosmërinë e bijve dhe bijave të këtij trualli se robërisë dhe mizorive shekullore, do t’u vinte fundi. Kjo ngjarje, e cila mori dhenë, duke jehuar fuqishëm në ndërgjegjen e gjithë popullatës, rrënjosi edhe më shumë vendosmërinë, për t’i shtuar përpjekjet dhe rezistencën ndaj robërisë së gjatë në këto troje.

“Ato ditë të fundshtatorit 1998, Jezerci u bë arenë e qëndresës heroike përballë armikut shumëfish më të armatosur dhe vend strehimi i mijëra civilëve të zhvendosur nga zona të tjera. Por ky vend u bë edhe fortesë e moralit të lartë dhe e besimit të patundur se fitorja nuk kishte alternativë. Në këtë betejë, familiarët, bashkëluftëtarët, Ferizaj dhe Kosova humbën Gursel e Bajram Sylejmanin, Sejdi Sejdiun, Kemajl Hetemin, Bashkim Vishin, Salih Baliun, Nazim Terziun, Lulzim Gutën e Arsim Zeqirin, por fituan namin e tyre të përjetshëm, thadruan edhe më shumë idealin e lirisë dhe gatishmërinë për sakrificë në themelet e atdheut.Ne që sot i gëzojmë frytet e përpjekjeve mbinjerëzore të këtyre dëshmorëve e martirëve, e ndiejmë për detyrë që vazhdimisht t’i ruajmë e t’i promovojmë shembëlltyrat flijuese e liridashëse të bijve e bijave që i dolën zot atdheut në ditët më të vështira. Sepse duke promovuar sakrificën më sublime të atyre që u flijuan vetëdijshëm, ne promovojmë idealin më të pastër e më fisnik: për të jetuar të lirë në tokën tonë. Kjo kërkesë dhe ky synim, ka qenë i ngulitur për shekuj në ndërgjegjen e të gjithë brezave, por u realizua vetëm para 17 vitesh, me vuajtje e sakrifica të panumërta”, ka thënë Zariqi, duke shtuar Epopeja e Jezercit, me të gjitha dimensionet e saj, paraqet pikën referente sa herë që flasim për trimëri, atdhetari, qëndresë, dinjitet, flijim dhe solidaritet njerëzor.

“Ne sot, me krenari mund t’u flasim bijve e bijave, nipave e mbesave tona, se ata po rriten të lirë, pa frikën e keqtrajtimit e të nëpërkëmbjes, pa frikën nga kërcënimi i vazhdueshëm edhe me jetë, për shkak të përkatësisë së tyre kombëtare e kulturore, falë flijimeve dhe qëndresës edhe në Epopenë e Jezercit. Ne sot, mund t’u flasim me krenari të rinjve e të rejave, se ata janë të lirë ta ndërtojnë ardhmërinë e tyre, të shkollohen, të kërkojnë punë, të dashurohen e ta gëzojnë jetën sipas mundësive që kanë, falë flijimeve të panumërta gjatë luftës në Kosovë, pra, falë edhe sakrificave në Betejën e Jezercit. Sepse në këtë betejë dhe në beteja të tjera anekënd Kosovës, u mboll fara e ndryshimeve rrënjësore në jetën e çdo kosovari. Pa Betejën e Jezercit dhe pa betejat tjera që u zhvilluan pothuaj në të gjitha pjesët e vendit tonë, nuk mund të merret me mend se si do të ishte e sotmja. Mirëpo, lirinë nuk mjafton vetëm për ta fituar. Atë duhet ndërtuar ditë për ditë. Asaj duhet dhënë përmbajtje, duhet kultivuar e formësuar, në mënyrë që ta ndiejmë e ta shijojmë vlerën e saj. Ne mund të kemi mendime të ndryshme se si i kemi ndërtuar jetët tona gjatë këtyre 16-17 viteve në liri, si e kemi ndërtuar lirinë, çfarë përmbajtjeje i kemi dhënë asaj dhe sa jemi të kënaqur me frytet e lirisë së fituar. Por e vërteta është se ne për herë të parë në historinë tonë, e kemi fituar shansin e madh që të ndërtojnë themelet e shëndosha të shtetit tonë, themelet e shëndosha të një shoqërie, mbi bazat e së drejtës dhe fryteve të punës sonë, të tillë çfarë e kishin ëndërruar dëshmorët, martirët, atdhetarët dhe të gjithë liridashësit. Sa e kemi realizuar këtë shans, të gjithë jemi dëshmitarë dhe secili e ka vlerësimin e vet. Por ne nuk mund të ankohemi më se dikush po na pengon që ta ndërtojmë vendin tonë, ose t’i kultivojmë vlerat pozitive në shoqërinë tonë. Meritat ose fajet, i kemi vetë ne”, është shprehur Zariqi.

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Gafurr Bytyqi, ka thënë se në këtë ditë krenarinë e tyre e forcon arritja e qëllimit sublim, Kosova e lirë, për të cilën e dhanë jetën edhe dëshmorët e kombit.

“Të punojmë shumë për atdheun, nëse duam t’i lajmë borxhet ndaj dëshmorëve. Kur ta kthejmë pozicionin që së pari të punojmë për atdheun dhe popullin, e mandej për vetveten atëherë jemi në rrugë të drejtë të zhvillimit, progresit e përparimit”, ka thënë Bytyqi.

Pas akademisë është zhvilluar ceremonia e përvitshme e homazheve dhe vendosjes së luleve në kompleksin e varrezave të dëshmorëve, aty ku prehen eshtrat e gjithë dëshmorëve të Ferizajt.