Ferizaj

Ferizaj sërish përfitues nga mbështetja e BE-së për efiçiencë të energjisë me afro gjysmë milion euro

By FerizajPress

June 18, 2023

Është bërë inaugurimi i punimeve në Sallën Sportive në Ferizaj, projekt ky me masat për efiçiencë të energjisë nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, mbështetur nga Bashkimi Evropian, Banka Botërore dhe Qeveria e Kosovës.

I pranishëm në këtë përurim ishte kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili derisa tha se ky projekt kap vlerën afro gjysmë milion euro, theksoi se efiçenca e energjisë përveçse ndikon në uljen e kostove financiare për familjet dhe ekonominë, gjithashtu ndikon në reduktimin e emetimeve të gazeve serrë dhe uljen e importit të energjisë elektrike.

“Me mijëra është numri i përfituesve nga ky investim si përfitues direkt dhe indirekt që shkojnë në dobi të jetës sportive dhe kulturore. Renovimi i një salle kaq të madhe sportive do të ketë një ndikim pozitiv në mjedis, do të reduktojë kostot e energjisë si dhe përmirësojë ndjeshëm komforten e brendshëm të ndërtesës dhe ndikojë në mirëqenies e sportistëve si dhe dashamirëve të sportit. Më e rëndësishmja është se sportistëve do të ju sigurohen kushtet optimale për zhvillimin e aftësive sportive dhe arritjen e objektivave të tyre, rezultateve gjithnjë e më të mëdha. Ky investim është realizuar nga Fondi i Kosovës për efiçience të energjisë përmes bashkëpunimit me Komunën e Ferizaj dhe ka vlerën afër 500 mijë euro”, theksoi Kurti.

Duke folur për projektin, Kurti tha se këto masa të efiçiencës së energjisë do të rezultojnë në kursimet e energjisë prej rreth 52% të konsumit bazë.

“Vlerësohet se këto masa të efiçiencës së energjisë do të rezultojnë në kursimet e energjisë prej rreth 52% të konsumit bazë, pra më shumë se gjysma. Në të njëjtën kohë ato do të kenë ndikime pozitive si për ambientin ashtu edhe për sportistët me rastin e zëvendësimit të sistemit të ngrohjes me lëndë djegëse naftë në atë me biomasë. Pra më pak konsum e shpenzime të energjisë në mjedis më të pastër e më të shëndetshëm”, vijoi Kurti.

Mes tjerash, Kurti shtoi se si qeveri së bashku me partnerë e donator janë të përkushtuar për investime në masat e efiçiencës se energjisë.

Falënderues për këtë̈ mbështetje u shpreh kryetari i kësaj komune, Agim Aliu, i cili tha se të gjitha këto marrëveshje janë̈ hapa të rëndësishëm në kuadër të programit për efiçiencën e energjisë̈.

Aliu u shpreh se vitin e ardhshëm do të aplikohet edhe në disa projekte të tjera, që ndërtesa të ndryshme publike, institucionale të përfshihen në kuadër të këtij programi.

“Investim ky afatgjatë i yni për të shndërruar godinën qendrore të sportit në Ferizaj në një godinë më të mirë, më të përshtatshme me kushte më të volitshme për zhvillimin e sportit. Ferizaj ndryshe nga shumë komuna të Republikës së Kosovës kaherë ka zhvilluar projekte të kësaj natyre duke bërë zgjidhjet më praktike e efiçiente në ndërtesa publike, veçanërisht në synimet tona të kursimit të energjisë. Pas realizimit të suksesshëm të këtij projekti, vitin e ardhshëm palestra e sporteve “Bill Clinton” në Ferizaj do t’i nënshtrohet renovimit tërësor në brendinë e saj duke u shndërruar në një sallë krejt të re me kushte, infrastrukturë moderne për të shumëfishuar mundësitë e saj në shfrytëzimin për aktivitete sportive të sportistëve e të klubeve tona sportive”, tha Aliu.

Po ashtu, përfituese nga ky projekt në këtë komunë ishte edhe Njësia e Zjarrfikësve në Ferizaj, në vlerë mbi 103 mijë euro.

Të pranishëm në këtë përurim ishin edhe ministrja e ekonomisë, Artane Rizvanolli, përfaqësuesi i Bankës Botërore, Masimiliano Pauluçi dhe përfaqësues nga Zyra e Bashkimit Evropian, Alesandro Biançardi.

Sipas IPA 2017, Bashkimi Evropian ka ndarë 10 milionë euro për Fondin e Mirëbesimit të menaxhuar nga Banka Botërore me qëllim të mbështetjes së operacioneve të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (KEEF) në infrastrukturën publike komunale, duke përfshirë ndërtesat publike dhe ndriçimin publik.

Granti i BE-së është i kombinuar me 5 milionë euro kredi nga Banka Botërore, si dhe bashkëfinancim nga Qeveria me 1 milion euro/vit.

Në kuadër të “Pakos për Mbështetje të Energjisë”, të financuar nga BE-ja, prej 75 milionë euro si përgjigje ndaj krizës energjetike, Fondi i Kosovës për Efiçencën e Energjisë, do të zbatojë 20 milionë euro për masat e efiçiencës së energjisë në sektorin e banimit.

Bashkimi Evropian kërkon më tej të mbështesë Kosovën në zbatimin e strategjisë së re të energjisë (2022-2031) në veçanti në fushën e efikasitetit të energjisë dhe energjisë së rinovueshme.