Kultura-Arti

Ferizaj, promovohen veprat e shkrimtares shqiptare, Flutura Açka

By FerizajPress

May 16, 2016

Në organizim të Bibliotekës “Sadik Tafarshiku” dhe klubit letrar “De Rada” të Ferizajt, pasditën e sotme është bërë promovimi i veprave të krijueses shqiptare, Flutura Açka, autore e dhjetra librave në prozë e poezi. Krijuesja nga Elbasani, autorja e romanit shumë të përhapur tek ne “Kukullat nuk kanë atdhe” ka bashkëbiseduar me krijuesen letrare nga Ferizaj dhe studiuesen e letërsisë, Dije Demiri, udhëheqëse e promovimit, me qëllim të venies në spikamë të veçorive ideo-estetike të veprës letrare në prozë dhe poezi.

Flutura Açka si krijuese nuk ka mundur të qëndrojë indiferente karshi ndodhive që solli tranzicioni shqiptar, i cili goditi pa mëshirë njerëzit e rëndomtë, veçan femrën shqiptare, duke e shndërruar këtë në qenie të tjetërsuar nga njerëzit që ishin bërë pjesëtarë të një shoqërie të dehumanizuar.

Autorja ka dialoguar edhe me lexuesit e saj në Ferizaj, të cilët kanë shtruar pyetje për aktin krijues, personazhet, ndërlidhjen e ngjarjeve nga një libër në tjetrin dhe aspekte tjera. Promovimi është përcjell edhe me deklamimin e poezive të autores nga të rejat ferizajase, duke sjell me këtë rast momente mbreslënëse të kësaj mbëmjeje letrare.