Mbijetesa në Ipko Superligën e futbollit do të jetë misioni i vështirë i Ferizajt në sezonin pranveror. Por, me emërimin e një zëvendësministri të Qeverisë në postin e kryetarit i ka dhënë shpresë të madhe këtij klubi, të cilin sot pritet ta marrë në dorë trajneri i njohur, Bylbyl Sokoli.
Kur kanë mbetur edhe pak javë deri te fillimi i sezonit pranveror në Ipko Superligën e Kosovës në futboll Ferizaj po përpiqet të dal në dritë pas një krize të thellë që e kaploi kohëve të fundit, shkruan Gazeta Express.
Klubi bardh e kaltër ka nis të riorganizohet që nga kryesia, për të vazhduar me shtabin teknik dhe për ta përfunduar riorganizimin në skuadër.
Kështu, Ferizaj ka njoftuar se kryetar i ri i klubit është emëruar Mustafa Grainca. Angazhimet në politikë dhe në biznes nuk e kanë penguar Graincën që ta marrë në dorë edhe klubin me nam i cili vit pas viti përballet me kriza financiare e organizative.
Emërimi i Granicës në krye të Ferizajt rezulton se diçka e jo e zakonshme. Kjo për shkak se Grainca mban pozitë të lartë shtetërore. Ai është zëvendësministër i Ministrisë së Financave në Qeverinë e Kosovës, ministër i së cilës është Bedri Hamza, raporton Gazeta Express.
Kjo ka bërë që Grainca të mirëpritet në klubin e futbollit të Ferizajt, të cilit i jep shpresë për të mbijetuar në Ipko Superligë gjatë sezonit pranveror.
“Granica edhe para disa vitesh pati qenë kryetar i Ferizajt. Ai është i suksesshëm edhe në biznes, futbollin e njeh, kështu që besojmë shumë se do të ketë sukses në menaxhimin e klubit”, tha për Gazetën Express drejtori i klubit, Nadir Haxhimusa.
Posa e ka marrë detyrën e kryetarit, Grainca i ka përvjel mëngët për ta nxjerr Ferizajn nga kriza e madhe, si pasojë e së cilës i janë larguar tashmë 5-6 futbollistë. “Jemi në bisedime me disa lojtarë. Besoj se shumë shpejt do t’i angazhojmë 5,6 apo 7 lojtarë, me të cilët veç jemi në bisedime”, tha Haxhimusa.
Ndërkohë, sot gjatë ditës Grainca pritet të nënshkruajë kontratë me trajnerin Bylbyl Sokoli, i cili në krye të shtabit teknik pritet ta zëvendësojë Afrim Tovërlanin, i cili u nda me Ferizajn pas përfundimit të sezonit vjeshtor, respektivisht pasi kriza e madhe e preku fundin në këtë klub.
“Sot gjatë ditës kryetari i ri do të takohet me Sokolin dhe vetëm pas këtij takimi do të dihet gjithçka. Në bisedime jemi vetëm me Sokolin dhe prej sot mund të bëhet trajner i Ferizajt”, potencoi Haxhimusa.
Pasi emërimit të trajnerit të ri dhe angazhimit të lojtarëve të rinj, Ferizaj pritet të shkojë në Shqipëri për ta kryere një fazë përgatitore, njofton Express.
Mbijetesa në Ipko Superligë do të jetë sfida e vështirë e Ferizajt, i cili sezonin pranveror do ta nis nga zona që çon në Ligën e Parë të Kosovës, përkatësisht nga vendi i parafundit i tabelës elitare me vetëm 15 pikë të tubuara. /GazetaExpress