Ferizaj

Ferizaj ndihet mirë që nderon Bidenin

By FerizajPress

August 16, 2016

Ferizaj ndihet mirë që ka rastin ta ketë në mesin e vet nënpresidentin e shtetit më të fuqishëm të botës dhe ta nderojë atë me një gjest simbolik, me një pllakë kushtuar të birit të tij Beau Biden dhe të shpreh mirënjohjeje e falënderim për SHBA-të për atë që kanë bërë dhe po bëjnë për Kosovën.

Rrethina e Ferizajt do të jetë nesër në qendër të vëmendjes së publikut, sepse këtu do të qëndrojë nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden. Por, me këtë rast, Ferizaj ndihet mirë edhe si propozues (së bashku me Gjilanin) që rruga Ferizaj – Gjilan, të marrë emrin e të birit të nënpresidentit amerikan, Beau Biden, në shenjë nderimi për ndihmën e tij dhënë prokurorëve dhe gjykatësve lokalë pas luftës në Kosovë, në vënien e themeleve të sistemit juridik në Kosovë. Megjithatë, nderimi i Ferizajt dhe i Kosovës për të dhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i ka rrënjët shumë më të thella: tek roli prijës i SHBA-ve për ta shpëtuar popullin e Kosovës nga zhbërja më 1999, tek roli prijës i SHBA-ve për mbështetjen e shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 2008 dhe për rolin e jashtëzakonshëm të SHBA-ve për ruajtjen e paqes dhe ndërtimin e Kosovës së re. Për këto arsye, Ferizaj ndihet mirë që ka rastin të ketë në mesin e vet nënpresidentin e shtetit më të fuqishëm të botës dhe ta nderojë atë me një gjest simbolik, me një pllakë kushtuar të birit të tij Beau Biden dhe në shenjë mirënjohjeje e falënderimi për SHBA-të për atë që kanë bërë dhe po bëjnë për Kosovën.