Sot është mbajtur takimi i Komitetit Drejtues Ndërministror për Autostradën R6, Prishtinë-Hani i Elezit dhe është vendosur në parim që të ndërtohen edhe dy kyçje të reja, njëra për qytetin e Ferizajt dhe tjetra për qytetin e Vitisë. Në këtë takim morën pjesë ministri i Infrastrukturës – kryetar i Komitetit Ndërministror, Lutfi Zharku, ministri i Financave, Avdullah Hoti dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami. Në këtë takim u shqyrtuan kërkesat për kyçje të reja në autostradën “Arbër Xhaferi” e parashtruar nga 10 deputetë nga komuna e Ferizajt, kryetari i komunës së Ferizajt dhe kryetari i Komunës së Vitisë. Pas shqyrtimit të kërkesave për kyçje të reja, në këtë takim, u vendos që në parim të përkrahet ndërtimi i dy kyçeve të reja në rrugën R6, Autostradën Prishtinë- Hani i Elezit, njëra për komunën e Ferizajt, në kuadër të segmentit kyçja Babush deri në kyçjen Bibaj, si dhe tjetra për komunën e Vitisë në kuadër të segmentit kyçja Bibaj deri në kyçjen Doganaj. Komuna e Ferizajt dhe kryetari Muharrem Svarqa shpreh mirënjohje të thellë për realizmin e kësaj kërkese e cila do të mundësojë një qasje më të lehtë në komunikacion për banorët e kësaj ane dhe falënderon faktorët relevantë që kanë reflektuar pozitivisht ndaj kësaj kërkese.