Ferizaj po hyn në një kapitull të ri të zhvillimit sportiv. Kryetari i Komunës, Agim Aliu, ka bërë të ditur se është nënshkruar kontrata nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) për fillimin e punimeve të Stadiumit të Ri të Qytetit “Ismet Shabani”.
Ky projekt madhor, me një vlerë investimi prej 17 milionë eurosh, parashikon ndërtimin e një stadiumi modern me kapacitet prej 8,415 ulësesh, duke e bërë atë një nga stadiumet më të rëndësishme në vend për nga infrastruktura dhe kushtet që do të ofrojë për sportistët dhe qytetarët.
Kryetari Aliu ka falënderuar MKRS-në për bashkëpunimin dhe mbështetjen, duke theksuar se ky projekt është realizim i një kërkese të kahmotshme të komunitetit sportiv në Ferizaj.
“Ky stadium është ëndrra e futbollistëve, klubeve, sportistëve dhe gjithë sportdashësve ferizajas. Urime të gjithëve për këtë hap të madh që po i jep sportit dhe qytetit tonë infrastrukturën që e meriton”, – u shpreh ai.
Me këtë investim, Ferizaj jo vetëm që do të ketë një arenë moderne sportive, por gjithashtu do të krijojë mundësi të reja për zhvillimin e futbollit dhe aktiviteteve të tjera sportive, duke forcuar edhe më shumë identitetin e qytetit si një qendër e rëndësishme sportive në Kosovë.