Ferizaj

Ferizaj: Mbahet Simpoziumi i Parë i Infermierisë

By FerizajPress

December 13, 2021

Sot në Ferizaj, në Teatrin e qytetit, po mbahet Simpoziumi i Parë i Infermierisë, organizuar nga Zyra e Kryeinfermierit të QKMF-së, z.Selim Bega dhe Drejtoresha e Infermierisë së Spitalit të Përgjithshëm, znj.Linda Viqa, në bashkëpunim me delegatët ferizajas të Odës së Infermierëve të Kosovës.

Me moton: INFERMIERIA FERIZAJASE PËRBALL COVID 19, ky simpozium ka për qëllim shpalosjen e përvojave të infermierëve në luftë kundër pandemisë dhe sfidat në punën e tyre të përditshme gjatë dy viteve të fundit. Ky takim i rëndësishëm, i pari i këtij lloji në Kosovë, shënon përmbylljen e aktiviteteve të infermierisë për vitin 2021.

 Takimi u hap me “Këngën e Infermierit” interpretuar nga Erti Dervishi, për të vazhduar më pas me fjalët përshëndetëse nga udhëheqësit e institucioneve shëndetësore në Ferizaj, si dhe përfaqësues të lartë të qeverisjes së komunës dhe udhëheqës të OIK-ut: Z. Lulzim Aliu – nënkryetar i Komunës, Dr.Nadire Ymeri – Drejtoreshë e QKMF-së, Dr.Halit Gërbeshi – Drejtor i Spitalit të Përgjithshëm dhe znj.Lirije Beqiri – nënkryetare e Odës së Infermierëve të Kosovës.

Gjatë këtij simpoziumi, që do të zgjasë deri në orët e pasdites, do të paraqiten prezantime dhe studime rasti nga infermierët e Spitalit të Përgjithshëm, QKMF-së dhe OIK-ut.