Ferizaj

Ferizaj kremton 15 vjetorin e Pavarësisë

By FerizajPress

February 17, 2023

Këtë të premte, qyteti i Ferizajt ishte i stolisur me flamuj të shumtë për të festuar 15 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Aktivitete për shënimin e kësaj ditë kanë filluar me homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve të Kombit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilave i priu Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i shoqëruar nga drejtues të shoqatave të dala nga lufta, udhëheqës e përfaqësues politik e institucional si dhe qytetarë të shumtë.

Aktivitete kanë vazhduar edhe me një Akademi Solemne, mbajtur në Teatrin e qytetit “Adriana” në Ferizaj. Të pranishmëve me një fjalë rasti ju është drejtuar Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i cili ka thënë se sot është festë, gëzim, emocion i papërshkrueshëm, që në shtrirje kapilare, i jep jetë e frymë, hartës shqiptare në Ballkan e shqiptarëve kudo.

“17 shkurti përfaqëson për të gjithë ne, Ditën e Pavarësisë së Kosovës, ditën e ngadhënjimit të lirisë mbi robërinë, ditën kur u hodhën themelet e ngrehinës onë shtetërore, themele këto që u njomën me gjak dëshmorësh e martirësh, me pendën e dijetarëve, me pushkën e trimave e trimëreshave. Flet zëshëm, kumbueshëm në mbarë mendjen e gjithsecilit prej nesh, përpjekja jonë për liri. Përpjekje që ngriti në këmbë një popull që deshi lirinë, që luftoi e sakrifikoi për lirinë. Janë shëmbëlltyrat e heronjve, ato që skalisin shndritshëm portretin e Kosovës sonë martire, në rrjedhën shekullore të historisë. Është pra, e veçanta datë, në kalendarin e qindra datave heroike të popullit shqiptar, kjo e 17 Shkurtit – Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, që krenare, lartësohet në kullën e qenies sonë kombëtare”, tha Aliu.

Kryetari Aliu, tutje është shprehur se liria erdhi si fresk mëngjesi, për t’i dhënë frymë, jetë, shpirt, popullit mbarë. Lirinë e sollën krismat e pushkëve të luftëtarëve të lirisë.

“Ata ishin mbrojtësit, ata ishin ngadhnjimtarët ndaj robërisë, ata janë fitorja jonë, që me gjak, me njomësinë e tyre, me shkabën dykrenare e flamurin gjithnjë lartë, luftuan, sakrifikuan e ranë,në përjetësinë e kujtesës dhe shpirtit të çdoshqiptari, në themelet e ekzistencës sonë kombëtare e shtetërore.Kudo mes nesh, në ajrin e lirisë, gjejmë gjurmën e tyre. Gjejmë rrezet që ngrohin çdo skaj të Kosovës së lirë. Gjejmë Dëshmorët e Kombit, martirët, të burgosurit politik, invalidët e veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familjet e dëshmorëve, të zhdukurit, mijëra qytetarë të pafajshëm, që me lavdinë e veprës së tyre, i dhanë si kurorë mbretëreshës dardane –Kosovës, lirinë, pavarësinë e shtetësinë. Kosova përjetoi dramën e përgjakshme në fundshekullin XX. Populli shqiptarë në Kosovë përjetoi gjenocidin e pashembullt, të paparë në botën e civilizuar. Robëria nguli më thellë,kthetrat në palcën e qenies sonë kombëtare. Kosova u ndodh në udhëkryq të ekzistencës së saj, populli shqiptar njohu masakrat më të llahtarshme që vetëm urrejtja, fashizmi, më i egri regjim serb, mund t’i bënte popullatës së pafajshme, vetëm se ishim shqiptarë” theksoi Aliu.

Të pranishmit me një fjalë rasti i ka përshëndetur edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Rafiz Sejdiu. Ai ka vlerësuar tejet lartë të gjithë ata që kontribuuan në pavarësinë e shtetit tonë.

Në fund u shfaq edhe një program i pasur kulturo-artistik i përgatitur nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit enkas për 15 vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, ku performuan artistë të mirënjohur ku mysafirë special ishin këngëtarët Selami Kolonja, Teuta Kurti, Liridon Sadriu, që me intepretimet e tyre, madhështuan festën e 15 vjetorit të Pavarësisë sonë.