Lajme

Ferizaj, i nderuar që nderon Bidenin

By FerizajPress

August 16, 2016

Komuna e Ferizajt, në një komunikatë që sot ua ka shpërndarë medieve, ka shprehur nderimin që do t’i bëhet nesër nga nënpresidenti i shtetit më të fuqishëm të botës, Joe Biden, të cilin do ta nderojë me një pllakë përkujtimore kushtuar të birit të tij, Beau Biden.

Komuna e Ferizajt me këtë rast ka shprehur mirënjohjeje e falënderim për ShBA-në për gjithë atë që ka bërë dhe po bën për Kosovën. “Rrethina e Ferizajt do të jetë nesër në qendër të vëmendjes së publikut, sepse këtu do të qëndrojë nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden”, është thënë në komunikatën e kësaj komune. Po ashtu, kjo komunë shpreh kënaqësinë që, si propozuese (së bashku me Gjilanin), që rruga Ferizaj – Gjilan ta marrë emrin e të birit të nënpresidentit amerikan Beau Biden në shenjë nderimi për ndihmën e tij dhënë prokurorëve dhe gjykatësve lokalë pas luftës në Kosovë, për vënien e themeleve të sistemit juridik në Kosovë. “Megjithatë, nderimi i Ferizajt dhe i Kosovës për të dhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ka rrënjët shumë më të thella: tek roli prijës i ShBA-së për ta shpëtuar popullin e Kosovës nga zhbërja më 1999, tek roli prijës i ShBA-së për mbështetjen e shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 2008 dhe për rolin e jashtëzakonshëm të ShBA-së për ruajtjen e paqes dhe ndërtimin e Kosovës së re”, është thënë në komunikatën e Komunës së Ferizajt.