Policia raporton se dy kamionë transportues me targa të huaja, të angazhuar nga kompani, janë ndaluar dhe ndëshkuar nga Policia Rajonale e Ferizajt, pas ankesave të qytetarëve për ndotje të rrugës.
Sipas Policisë, shoferët e autorizuar kishin për detyrë transportimin e dheut, por nuk kishin kryer pastrimin e gomave të automjeteve para hyrjes në rrugën e asfaltuar. Si pasojë, në tri lokacione të ndryshme është ndotur rruga magjistrale Ferizaj–Kaçanik, në zonën e fshatit Komogllavë.
“Në bazë të Ligjit Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor, neni 41, paragrafi 3, ndaj kompanive përgjegjëse është shqiptuar nga një gjobë në vlerë prej një mijë (1000) euro për ndotje të ambientit”- shkruhet në komunikatën e lëshuar më 20.12.2025.
Policia Rajonale e Ferizajt ka apeluar tek qytetarët dhe punonjësit e kompanive ndërtimore që gjatë kryerjes së punimeve të tregojnë kujdes të shtuar, duke respektuar rregullat e trafikut dhe mbrojtjen e ambientit.
Sipas Policisë, shoferëve u ndalohet të hyjnë nga rrugët dytësore të pashtruara në rrugë të asfaltuara pa larguar baltën apo materialet e tjera të papastërta nga rrotat e automjeteve.