Ferizaj

Ferizaj gati për festat e fund vitit, gjendja e sigurisë e qetë dhe stabile

By FerizajPress

December 05, 2018

Takimi i radhës i Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, në të cilin pati të pranishëm edhe pjesëtarë të KFOR-it amerikan në cilësi të vëzhguesve, nisi me një minutë heshtje në nderim të jetës, veprës dhe kontributit për lirinë e Kosovës të Presidentit të 41-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George H.W. Bush , i cili ndërroi jetë ditë më parë, kjo pas zisë së shpallur sot nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. Ky mekanizëm i rëndësishëm i sigurisë në nivel lokal u mblodh për të diskutuar mbi përgatitjet për festat e fund vitit në pikëpamje të sigurisë. Me autorizim të Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Naim Ferati i cili drejtoi këtë takim, njoftoi anëtarët e këtij mekanizmi të sigurisë mbi përgatitjet që ka bërë Komuna e Ferizajt për festat e fund vitit, masat që janë ndërmarr me qëllim që të përballohet fluksi eventual i mërgimtarëve si dhe koordinimi më intensiv me organet e sigurisë dhe akterët tjerë që këto festa të kalojnë pa ndonjë ekses. Ai tha se për këtë janë njoftuar organet përkatëse dhe se këtë vit ekziston një raport më i konsoliduar bashkëpunimi dhe se qeverisja lokale i ka paraprirë shënimit të këtyre festave me plane përkatëse në sektorët përkatës. Në anën tjetër, Komandanti i Stacionit Policor në Ferizaj, Imer Kaqara njoftoi se kohëve të fundit ndonëse janë shënuar rastet e grabitjeve, përkatësisht veprave penale kundër pasurisë, gjendja e sigurisë përgjithësisht është e qetë dhe stabile. Ai tha se për këtë sezon festash, Policia e Kosovës, përkatësisht Stacioni Policor në Ferizaj ka përgatitur një plan operativ për rritjen e masave të sigurisë këto ditë festash. Për bashkëpunimin me Komunën e Ferizajt, komandanti Kaqara tha se presin agjendën zyrtare të aktiviteteve komunale për këtë ditë, me ç ‘rast Policia e Kosovës do të ofroj gjithë infrastrukturën e nevojshme me qëllim sigurinë e qytetarëve. Në këtë takim u diskutuan edhe disa sfida të tjera të sigurisë siç janë shitja e paautorizuar e mjeteve piroteknike, rritja e kontrollit nga Inspektorati Komunal për ndalimin e shitjes së alkoolit, siguria në komunikacion, mungesa e higjienës dhe siguria në shkolla, qentë endacak, për të cilat ekzekutivi komunal u zotua se kanë marr të gjitha masat në këtë drejtim me qëllim të përmirësimit të gjendjes në këto fusha.