Sektori Rajonal i Hetimeve nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj , pas një pune hetimore dhe pranimit të disa informacioneve inteligjente , ka arritur që, sot të arrestojë edhe dy persona tjerë nga Ferizaj, me inicialet I.M (M/K) , i moshës 31 vjeçar dhe SH.L ( M/K) i moshës 25 vjeçar. Ata ishin të kërkuar nga policia, nga rasti ‘’Lëndim i rëndë trupor’’ therje me thikë, që ka ndodhur me datën 01.08.2021 në ora 00:17, në një rrugë të Ferizajt, ku lëndime të rënda trupore ka pësuar një person me inicialet F.H (M/K) i moshës 38 vjeçar , i cili po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë, ndërkaq atë natë ishte arrestuar dhe dërguar në mbajtje për 48 orë i dyshuari me inicialet A.D (M/K) 25 vjeçar. Policia sot, tek i dyshuari SH.L, gjatë bastisjes kanë gjetur një armë zjarri dhe një karikator me 13 fishek, të cilat në cilësinë e prova materiale janë konfiskuar. Me vendim të Prokurorit të rastit nga Prokuroria Themelore e Ferizajt , dy të dyshuarit I.M dhe SH.L dërgohen në mbajtje për 48 orë , ndërsa ndaj të arrestuarit të parë A.D , nga Gjyqtari i Procedurës Paraprake nga Gjykata Themelore e Ferizajt, i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve. Rasti mbetet për procedim të mëtejmë hetimor, ngaqë janë edhe dy persona të tjerë të dyshuar, e që janë në arrati.