Editorial

Fazat për në terror dhe parandalimi i tij

By FerizajPress

June 20, 2016

Padyshim që njerëzit nuk lindin ekstremist, radikalist apo terrorist. Atyre ju paraprinë disa shkaktar motivues që arrijnë në pikën ku janë në gjendje të marrin vendime dhe veprime terroriste. Shkaktarët e terrorizmit janë të shumtë dhe janë të shpërndarë nëpër fazat që determinojnë tek aktet terroriste. Nga pika zero e deri tek ekzekutimi i akteve terroriste janë tre faza kryesore. Si fazë e parë është ekstremizimi, pastaj radikalizimi dhe faza e fundit është ekzekutimi i akteve terroriste.

Faza e parë apo ekstremizimi  ngërthen brenda vetës shkaktarët të cilët janë determinuesët kyç për në fazën e tretë (ekzekutimin e akteve terroriste) dhe këta shkaktar janë të lidhur ngushtë me paditurinë, manipulimet dhe emocionin e pakontrolluar. Si pasoj e injorancës, ekstremisti në këtë fazë i pështjellon gjërat, duke vendosur primaret në sekondare e terciare dhe anasjelltas dhe kjo ndodh për shkak të paditurisë së theksuar tek ai. Ndërsa si pasoj e emocionit të pakontrolluar, ekstremisti merr veprime të pa analizuar në mënyrë racionale. Ekstremizmi, qofte fetar apo ideologjikopolitik, gjithnjë është faktorë destabilizues dhe si i tillë rrezikon rendin dhe harmoninë shoqërore. Individi i cili bie preh e ekstremizmit, fillon të mendoj që vetëm ai është personi që i dinë të gjitha, ndërsa të tjerët nuk dinë asnjë gjë dhe kurrë nuk mund ta kenë mirë për ndonjë çështje. Pasoja më shkatërruese e ekstremizmit për viktimat e tij ka të bëj me rrënimin e tolerancës ndaj tyre. Pra, toleranca e viktimës së ekstremizmit bie në zero. Kjo fazë është jashtëzakonisht e rrezikshme për faktin se, individit të ekstremizuar i mungojnë dy parakushte për të qenë i dobishëm për vetën familjen dhe shoqërinë, e para dituria dhe e dyta toleranca apo respektimi i mendimit ndryshe atëherë kur nuk përkon me mendimin e tij. Mjafton të kesh mospajtim me mendimin e tij dhe të shpallë si person armiqësore. Sipas Muntesir es-Zijatit, avokat mbi çështje të islamit në Egjipt, ‘ekstremisti’ është personi i cili beson se është i vetmi që posedon të vërtetën, kurse të gjithë të tjerët përveç tij janë në rrugë të gabuar. Ai izolohet nga shoqëria dhe qëndron në ‘geto’ duke menduar se vetëm ai është në të drejtë, kurse gjithë të tjerët janë në rrugë të gabuar dhe nuk pranon asnjë sistem të ri shoqëror. Si karakteristika të përgjithshme të një ekstremisti mendohet të jenë këto: beson se bindja e tij është e drejtë dhe e vërtetë absolute; nuk lë hapësirë dhe mundësi që të diskutohet për të vërtetën të cilën ai e beson; beson se bindja e tij është e përshtatshme për çdo vend dhe çdo kohë; mohon dhe lufton gjithë ata që e kundërshtojnë bindjen e tij;  përgatitet për t`u përballur me kundërshtarët e mendimit të tij, qoftë edhe përmes dhunës; beson në imponimin e bindjes së tij ndaj të tjerëve, qoftë edhe përmes përdorimit të forcës. Pra, edhe pse po e vërejmë nga e lartcekura, se ekstremizmi është më shumë një fazë e cila të orienton ka faza finale (ekzekutimin e akteve terroriste), faza e dytë apo radikalizmi të bënë më të vendosur për të ekzekutuar aktet terroriste.

Faza e dytë apo radikalizimi dallon nga ekstremizimi, sepse në këtë fazë mendimet dhe gjykimet që merren në fazën e ekstremizimit kalojnë në një stad tjetër, pra fillojnë të shndërrohen në veprime, jo deri në nivel të akteve terroriste, por individi i radikalizuar nëse gjatë fazës së ekstremizimit ka pasur mospajtime dhe ka qëndruar i heshtur ndonjëherë, në fazën e radikalizimit ai në asnjë moment dhe për asnjë çështje nuk rrinë pa e shfaq mospajtimin në mënyrën më të vrazhdë verbale dhe me çdo kusht dëshiron ta ndryshoj situatën në favor të tij. Kjo fazë i jep trup ideve të ekstremistëve, pra fillojnë gjërat të kalojnë nga ide në veprime. Pra, për dallim nga faza e parë (ekstremizimi), që orienton më shumë kah dhuna verbale, mospajtime të fuqishme në mendime, kundërshtime të pa kompromis, etj. faza e dytë (radikalizimi) ka tendencë të orientoj kah dhuna fizike, vrasjet apo aktet terroriste. Sa i përket radikalizimit edhe strategjia për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpije në terrorizëm e përkufizon si  procesi i miratimit të ideologjive ekstremiste dhe në disa raste shndërrimi në një ekstremist të dhunshëm. Pra, edhe faza e parë dhe e dytë i paraprinë fazës më të rrezikshme apo fazës finale e cila i tejkalon të gjithë kufijtë e njerëzores. Në këtë fazë nuk bëhet fjalë për mospajtime në mendime, por në këtë fazë individi i ekstremizuar dhe radikalizuar fillon t’i ekzekutoj nëpërmjet akteve terroriste idetë ekstremiste e radikale. Në këtë fazë (faza e terrorit) grupet dhe individët shndërrohen në njerëz jashtëzakonisht të rrezikshëm. Ata i karakterizon dëshira për gjakderdhje dhe vrasje të njerëzve të pafajshëm. Në mendjen e tyre mbretërojnë mendimet vrastare. Të tillët shndërrohen në prishës të paqes, shkatërrues të ndjenjës së sigurisë së individit dhe shoqërisë, rrënues të sigurisë dhe rendit shoqërore, shndërrohen në njerëz që nga vrasjet e tyre t’u shuhet etja prej vrastari etj. Mendja e tyre dinë të prodhoj vetëm ide për shtimin e sa më shumë viktimave. Tek të tillët, nuk funksionojnë më fare idetë për rregull shoqërorë, paqe, harmoni, lumturi, etj. Vrasjet nga aktet terroriste shndërrohen në ushqim për ta.

Rruga për në terror nuk është edhe aq e thjesht, sepse ka komplikimet e saja, mirëpo kjo është në favor të institucioneve të sigurisë, sepse me masat e duhura nga institucionet e sigurisë, mund të parandalohen që në fazën e parë dhe të dytë aktet që janë të destinuara për të përfunduar me akte terrori. Institucionet e sigurisë të cilat janë të ngarkuara për ta parandaluar ekstremizmin dhe radikalizmin i cili të shpije në terrorizëm, duhet që ta kenë një gjë të qartë, që mos t’i qasen parandalimit të këtyre fenomeneve pa marrë për bazë specifikat e secilës fazë veç e veç. Nuk mundet dhe nuk bënë assesi të përdoren masat dhe metodat e parandalimit të akteve terroriste për individët të cilët janë në fazën e ekstremizmit apo anasjelltas, sepse kjo mund të prodhoj kundër efekt, por duhet të përshtaten masat dhe metodat adekuate të bazuara në specifikat e fazave. P.sh. nëse për ndonjë individ i cili është akoma në fazën e  parë (ekstremizimit), përdoren masat e fazës së tretë, që janë intervistimet, arrestimet apo gjykimet, etj.,  tek individi i tillë do të ketë kundër efekt dhe ai do të mundohet me të gjitha forcat të hakmerret për njollosjen që i është bërë. Apo shembulli tjetër, nuk mund të aplikohen masat e buta që implementohen nëpërmjet programeve të ndryshme në forma të këshillimeve, mësimeve, etj. për individ që kanë kryer apo në bazë të dyshimeve të bazuara pritet të kryejnë akte terrori, sepse pasojat mund të jenë fatale për shoqërinë dhe shtetin. Pra, është domosdoshmëri, që gjatë verpimeve për parandalimin e akteve terroriste të përshtaten me saktësi maksimale masat e marra dhe fazat në të cilën mund të jenë individ dhe grupe të ekstremizuara, radikalizuara dhe terroriste. Ajo që duhet të merret parasysh është fakti që në këtë aktivitet parandalues, asnjëherë nuk mund të arrihet sukses pa dorëzim të plotë të kryerjes së këtyre detyrave personave me integritet, profesionalizëm dhe me arsimim adekuat.

Shkruar nga Shkelzen Marevci