Ferizaj

Faruk Buzhala zgjedhet kryetar i klubit letrar “De Rada”

By FerizajPress

March 07, 2017

Ferizaj.  07.03.2017.  Klubi letrar “De Rada” në Ferizaj ka një traditë të gjatë dhe të frytshme të kultivimit të vlerave letrare. Për 40 vjet, ky klub jo vetëm ka mbajtur frymën letrare në qytet, por edhe ka identifikuar dhe afirmuar krijues, emrat dhe veprat e të cilëve kanë arritur të bëhen të njohur për një rreth të gjerë lexuesish.

Në prag të Ditës Botërore të Poezisë, shënimi i së cilës në qytetin e Ferizajt ka një traditë të veçantë, Klubi letrar “De Rada” është freskuar me anëtarë të rinj dhe ka zgjedhur kryesinë e re. Në takimin e mbajtur të hënën më 6 mars, kryetar i klubit u zgjodh Faruk Buzhala, nënkryetare Zyrafete Shala dhe sekretare Vjollca Ahmeti, ndërsa Arsim Hamiti dhe Gëzim Arifi, u zgjodhën anëtarë të bordit. Kryetari i sapozgjedhur falënderoi udhëheqjen e deritanishme të klubit, me në krye profesoreshën Qibrije Demiri – Frangu, për kontributin e dhënë në afirmimin dhe kultivimin e krijimtarisë letrare në qytetin tonë.

Klubi me udhëheqjen e re synon që të organizojë edhe më tej aktivitetet e viteve të mëparshme, siç është edhe shënimi i “21 Marsit, Ditës Botërore të Poezisë” që është shndërruar në shenjë identifikuese të frymës letrare ferizajase, mirëpo krahas aktiviteteve të njohura, ka për qëllim edhe realizimin e projekteve të reja, të cilat do të jenë risi për kulturën e qytetit tonë.