Këtë të marte është publikuar tenderi për ndërtimin e Spitalit Rajonal të Ferizajt.
Kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa konfirmimin e shpalljes së tenderit për ndërtimin e Spitalit Rajonal të Ferizajt e ka quajtur lajmin më të mirë në 70 vitet e fundit për qytetin e Ferizajt.
“Ky është lajmi më i mirë në 70 vitet e fundit për qytetarët e Ferizajt dhe rrethinës. Po fillon realizimi i një projekti madhor që ka qenë ëndërr e qytetarëve të këtij rajoni për një shëndetësi të mirëfilltë dhe me kushte çfarë duhet ti ketë mjekësia moderne” ka thënë Muharrem Svarqa me të marrë konfirmimin nga Ministria e shëndetësisë për shpalljen e tenderit për ndërtimin e Spitalit Rajonal të Ferizajt.
Svarqa ka thënë se ky është fillimi dhe se Ferizajn në vazhdim e presin edhe shumë projekte që do të jenë në funksion të përmirësimit të jetës dhe mirëqenies së qytetarëve të Ferizajt.
Këtë për FerizajPress e ka konfirmuar edhe këshilltari i Ministrit të Shëndetësisë, Gëzim Kokollari.
“Ministri i Shëndetësisë zotëri Imet Rrahmani ka vendosur në favor të kërkesës së Kryetarit të Komunës së Ferizajt zotëri Muharrem Svarqes, duke e parë këtë spital si nevojë imediate për pacientët dhe punonjësit shëndetësorë ose thënë më mirë për gjithë shëndetësinë ferizajese dhe më gjerë. Konsideroj se me këtë projekt po përmbushet edhe një nga objektivat e qeverisë Mustafa. Objekti i ri i Spitalit do të ketë në tërësi 29096 m me gjithësej 250 shtretër, i cili gjendet në një lokacion mjaft të përshtatshme si për nga qasja e qytetarëve në marrjen e shërbimeve poashtu edhe për nga ajri dhe freskia që do ta kenë pacientët, sepse spitali gjendet në parkun “Liria” apo siç thuhet në Ferizaj në “mushkërit e qytetit”, Urime të gjithëve!” ka thënë Kokollari
Spitali i ri do ta ketë këtë strukture funksionale: * Bodrumi : Hapesira teknike , morgu, sterilizimet e paisjeve, rentgeni, garazha për autoambulanc dhe kuzhina qendrore. * Sutereni : Administrata kryesore, laboratoret, barnatorja qendrore. * Perdhesa : Departamenti i urgjences dhe ambulantat specialistike. * Kati i pare : Kirurgjia , gjinekologjia me neomatologji dhe pediatria. * Kati i dyte : Reparti i urologjise dhe ortopedia. * Kati i trete : Reparti i semundjeve te brendeshme dhe reparti i hemodializes. * Kati i katërt : Semundjet e kraherorit dhe kardiologjia dhe hapesira për pushim dhe rekreacion.
Spitali i ri do t’i ketë 250 shtretër dhe, sipas parallogarisë së projektit, do të kushtojë afro 9 milionë euro.