Figura e Idriz Seferit radhitet në mesin e luftëtarëve, që u bë i njohur qysh në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, ndërsa prania e tij në frontet e luftës kundër pushtuesit shekullor turk, po ashtu edhe në Kuvende e Besëlidhje të kohës ka zgjatur deri në vdekjen e tij.
Së fundmi, heroi kombëtar është nderuar me portretin e tij të gdhendur në një faqe shkëmbore në Grykën e Kaçanikut. Vepra artistike monumentale mësohet se do të jetë me përmasat 30 me 20 metra.
Është zgjedhur pikërisht gryka e Kaçanikut për t’u gdhendur portreti i tij, pasi forcat e drejtuara prej tij në atë vend zmbrapsën forcat e mëdha otomane dhe u shkaktuan humbje të mëdha në betejën e lavdishme të vitit 1910.
Ky monument gjigand, sipas projektit, do të jetë i ngjashëm me monumentin kushtuar katër presidentëve amerikanë – George Washington-it, Thomas Jefferson-it, Abraham Lincoln-it dhe Theodore Roosevelt-it – të gdhendur në shkëmb, në një faqe të malit Rushmore, në Dakotën Jugore.
Ideator dhe nismëtar për ngritjen e këtij nomumenti që e përjetëson jo vetëm figurën e Idriz Seferit, por edhe të gjithë atyre që kanë rënë në altarin e lavdisë, është Prof. Dr Sabri Kadriu, ekspert i ekonomisë dhe financave, ish-profesor i Universitetit të Prishtinës, Universitetit të Tetovës dhe Universitetit të Tiranës.