Kultura-Arti

Ermal Mamaqi tregon datën e publikimit të filmit me Elvana Gjatën

By FerizajPress

August 27, 2018

Pesë vite pas suksesit të padiskutuar në filmin ‘Femrat’, i cili pushtoi të gjitha kinematë e qyteteve shqiptare, aktori i njohur i humorit, Ermal Mamaqi, ka në dorë një projekt të ri, kësaj here si producent.

Në bashkëpunim me Elvana Gjatën, dyshja do të sjellë shumë shpejt në ekranet tona filmin që do të shpërthejë kinematë shqiptare. Vepra e cila do të titullohet “Dy gisht mjalt”, do të jetë një komedi, për të cilin Ermali zbulon më shumë në një intervistë  për ‘Xing.al’.

Këtë herë nuk do të jesh thjesht protagonist i një filmi, por edhe producent i tij. Si lindi ideja?

Filmi prodhohet nga Kompania ‘Mamaqi Production’ në bashkëpunim me Elvana Gjatën. Ideja e këtij filmi lindi pikërisht nga Elvana, si një dëshirë për të pasur një film të dy. Menjëherë po atë natë jam ulur të shkruaj pikat e para të skenarit që ka filmi.

Domethënë je edhe në rolin e bashkë-skenaristit, a mund të na tregosh pak për subjektin e filmit?

Eshtë historia e një çifti me të ardhura mesatare. Një dasëm, një muaj mjalti që shkon për dreq, dhe…. duhet të vini ta shihni!

Do të ketë emra të tjerë të famshëm në film? Në role të tjera janë Koço Devole, Marjana Kondi, Bujar Asqeriu, Natasha Sela, Olta Daku, Ervin Doko, Ervin Bejleri, Eglein Laknori dhe Blerim Destani.

A është e lehtë të bësh filma në Shqipëri? Edhe pse publiku është i etur për prodhime shqiptare, problemi më i madh është që kinematë mungojnë në shumë qytete të vendit dhe rrjedhimisht filmi nuk shitet aq sa duhet për të mbuluar buxhetin që duhet për të investuar. Uroj që të krijohen lehtësira për filmat indipendent.

Kur do të mund ta shohim filmin në kinema? Filmi del në dhjetor në të gjitha kinematë e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë.

Pse mendon se do të jetë i suksesshëm? Sepse është një skenar i ngrohtë dhe me batuta nga fillimi deri në fund. Aktorët janë brilantë dhe Elvana Gjata garanton sukses absolut në këtë dalje të parë si aktore.