Lajme

Erdogan: Puçistët duhet t’i vrasim

By FerizajPress

July 18, 2016

Presidenti turk, Tayyip Erdogan, ka thënë në një intervistë për CNN-in të hënën se populli turk ka kërkuar dënimin me vdekje – që është shfuqizuar më shumë se një dekadë më parë – për të përfshirët në grusht-shtetin e dështuar ushtarak gjatë vikendit.

“Njerëzit nëpër rrugë e kanë bërë këtë kërkesë”, ka thënë Erdogan për CNN.

“Populli është i mendimit se këta terroristë duhen vrarë… Përse t’i mbaj e t’i ushqej ata nëpër burgje për vite me radhë… këtë e ka thënë populli”, transmeton Koha.net.

CNN ka cituar Erdoganin të ketë thënë edhe se kërkesa zyrtare për ekstradimin e klerikut Fethullah Gulen nga SHBA-të do të dorëzohet ditëve të ardhshme.

Turqia thotë se Gulen ka qenë organizatori i tentim grusht-shtetit. Ai mohon përfshirjen.

Recep Tayyip Erdogan ka thënë se Parlamenti i Turqisë do të vendosë nëse do ta rikthejë dënimin me vdekje. E nëse ai miratohet, Presidenti Turk ka pohuar se do ta aprovojë atë vendim.

“Natyrisht, duhet që të vendosë Parlamenti. Si President, do ta aprovoj çfarëdo vendimi që del nga Parlamenti”, ka deklaruar Erdogan për CNN.

Turqia ka larguar vendimin me vdekje në vitin 2004, si pjesë e kritereve për t’iu bashkuar Bashkimit Europian.

Ideja për rikthimin e dënimit me vdekje në Turqi ka ardhur pasi një grup i ushtrisë tentoi një grusht shteti të premten, por që dështoi, duke lënë pas më shumë se 200 persona të vrarë.