Emërohen ministrat e rinj nga radhët BDI-së

By FerizajPress

April 05, 2016

Kryeministri teknik, Emil Dimitriev, gjatë fjalimit të tij para deputetëve, tha se pret që ministrat e rinj të vazhdojnë projektet e Qeverisë. Sipas Dimitrievit, meqë bëhet fjalë për qeveri teknike, projektet madhore do të vazhdojnë pas zgjedhjeve.

Ndërkohë Imer Aliu nga PDSH theksoi se ky ishte elaborimi më i shkurt që mbahet mend ndonjëherë për emërimin e ministrave, fjalim që zgjati vetëm 2 minuta e 40 sekonda, pavarësisht se bëhej fjalë për 7 ministra. Aliu e theksoi edhe faktin se kryeministri teknik nuk e pa të udhës që ministrave të rinj tua përmendë as emrat.

“Këto institucione që udhëhiqeshin nga shqiptarët, në fakt ishin boshe, sepse asgjë nuk është bërë për shqiptarët. Ministrat që ishin aty, ishin sa për sy e faqe, sikur të mos ishte askush. Këto vende edhe më tej do të vazhdojnë të jenë bosh sepse këto djem të ri nuk do të mund të bëjnë asgjë sepse tash futemi në fushatë parazgjedhore”, tha Aliu.

Sipas deputetit të PDSH-së, problemi real i BDI-së është problemi i brendshëm – nuk mund të mbulohen 13 vite keqqeverisje me këto reforma në të cilat askush nuk beson.

“Mos harrojmë se e gjithë kjo katrahurë u nis kur deklaruat se BDI po del nga qeveria, a në fakt përfunduat duke i zëvendësuar ministrat”, tha Aliu, raporton Alsat M.

Ai në vazhdim përmendi me emër dhe mbiemër të gjithë tanimë ish ministrat e BDI-së duke i nxjerr në pah sukseset gjegjësisht mossukseset e tyre. Sipas Aliut ministrat e BDI-së kanë punuar për vete por jo edhe popullin.

Ermira Mehmeti e BDI-së gjatë fjalimit të saj u shpreh se kandidatët për ministra i takojnë një brezi të ri shumica e të cilëve janë doktorë shkencash, magjistra dhe me orientime pro-evropiane/lajmi.net.

The post Emërohen ministrat e rinj nga radhët BDI-së appeared first on Lajminet.