Ferizaj

Elmi Reçica, ngritë dy çështje, për dy projekte me rêndësi për Ferizajn

By FerizajPress

May 27, 2021

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Elmi Reçica ,në kuadër të pyetjeve parlamentare ka ngritur sot dy çështje për dy projektr me rëndësi për Ferizajn,atë të ujëmbledhësit në Jezerc dhe ngecjeve në projektin e spitalit.

Po ua sjellim.të plotë reagimin e deputetit Reçica

Sot, gjatë seancës parlamentare në Kuvendin e Republikës së Kosovës, kam bërë dy pyetje të cilat lidhen me të drejtat, interesat dhe nevojat e qytetarëve të Ferizajt me regjion.

Çështja e parë që kam ngritur, ka të bëjë me hidrosistemin e Ibër – Lepencit, i cili është një projekt i një rëndësie të veçantë dhe me vlerë strategjike për mirëqenien e qytetarëve të regjionit të Ferizajt. Ky projekt i viteve të shtatëdhjeta, nuk është realizuar në tërësi ende, pasi që është realizuar vetëm projekti i Ibrit. Jo edhe ai i Lepencit!

Ky projekt për ujë të pijshëm në aspektin afatgjatë, por edhe çështja e ujit të nevojshëm industrial si dhe ujit për ujitje, duke veçuar këtu Ujëmbledhësin e Jezercit, për Kosovën Qendrore, veçanërisht për Komunën e Ferizajt, Shtimes, Kaçanikut, Hanit të Elezit, Shtërpcës dhe Vitisë, është jetik dhe shumë i rëndësishëm.

Prandaj, është për keqardhje që kjo qeveri nuk ka as edhe interesimin më të vogël për implementimin e projektit të Lepencit, duke përfshirë këtu edhe Ujëmbledhësin e Jezercit.

Çështja e dytë që ngrita sot, e cila po ashtu ka të bëjë me mirëqenien dhe shëndetin e qytetarëve të Komunës së Ferizajt dhe të regjionit, është ngecja në ndërtimin e Spitalit Rajonal të Ferizajt.

E drejta për trajtim të dinjitetshëm mjekësor është e drejtë themelore e njeriut dhe e drejtë e secilit qytetar të Ferizajt. Për një trajtim të tillë përveç personelit mjekësor, është e domosdoshme edhe hapësira e mjaftueshme fizike dhe infrastrukturore.

Në këtë drejtim, ndërtimi i Spitalit Rajonal të Ferizajt, ishte dhe vazhdon të jetë nevojë e kahmotshme e mbi 108 mijë banorëve të Ferizajt dhe rreth 150 mijë qytetarëve të qyteteve përreth, duke përfshirë Kaçanikun, Shtimen, Hanin e Elezit, Shtërpcën dhe Vitinë. Pra, bëhet fjalë për një spital që do të ofrojë shërbime për çerek milioni qytetarë.

Për këtë arsye, pas disa vitesh vonesash, më në fund në mandatin qeverisës të Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Ministrisë së Shëndetësisë, të drejtuar nga ministri Uran Ismaili, në vitin 2018, u nënshkrua kontrata për ndërtimin e tij dhe filluan punimet.

Ky projekt përfshin një hapësirë prej 2.7 hektarë. Objekti shtatë katësh me 22 mijë metra katrorë, do të ketë 220 shtretër dhe të gjitha hapësirat dhe pajisjet që përmbushin standardet e një spitali modern, që është planifikuar të jetë i gatshëm dhe funksional brenda tri viteve, përkatësisht deri më 15. 06.2021.

Por, edhe pse kanë kaluar afër tri vite, ende nuk është përfunduar ky objekt shumë i rëndësishëm për qytetarët e regjionit të Ferizajt dhe për tërë Kosovën, veçanërisht në kohën e Pandemisë COVID-19.

Për këtë arsye, qytetarët me të drejtë janë shumë të interesuar të dijnë nëse ky projekt do të përfundojë me kohë.

Por fatkeqësisht, një projekt kaq i rëndësishëm për shëndetin e qytetarëve të Ferizajt dhe tërë regjionit, nuk ka vëmendjen e duhur të qeverisë dhe as të Ministrisë së Shëndetësisë, ashtu siç nuk kishte vëmendjen e qeverisë së kaluar e as Ministrisë së Shëndetësisë, të qeverisë së kaluar.

Përfundimisht, kjo qeveri nuk ka interesim e as vullnet për të trajtuar në mënyrë të drejtë dhe të barabartë qytetarët e Komunës së Ferizajt. Sepse nuk mund të jetë ndryshe. Qeveria e mashtrimit, veç mashtron.