Ferizaj nderohet me ngritjen e shtatores së luftëtarit të shquar, të dëshmorit të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të Nënzonës Operative të Nerodimes, Nazmi Ukësmajli, figurës më emblematike të fazës së organizimit, shtrirjes dhe zgjërimit të UÇK-së në zonën tonë, që fali jetën për lirinë dhe të mirën e popullit e të atdheut.
Pikërisht, sot në ditën e rënies në altarin e lirisë dhe në ditën e veteranit të degës së Ferizajt të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, lartësojmë shtatoren e përjetësuar në bronz të dëshmorit të kombit dhe luftëtarit të shquar, Nazmi Ukësmajli.
“Pikërisht sot në ditë e rënies heroike të dëshmorit Nazmi Ukësmajli dhe në Ditën e Veteranit të Degës së Ferizajt të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qyteti i Ferizajt nderohet me ngritjen e shtatores së luftëtarit të shquar, të figurës më emblematike të fazës se organizimit, shtrirjes dhe zgjerimit të UÇK-së në zonën tonë, që të fali jetën për lirinë dhe të mirën e popullit e të atdheut. Rënia heroike e Dëshmorit të Kombit Nazmi Ukësmajli i cili bashkërisht me bashkatdhetarët e tij, po bënin përgatitjet dhe vlerësimet e fundit të krijimit të bazës dhe pozicioneve për shtrirjen dhe vendosjen e njësive të UÇK-së në Jezerc të Ferizajt, ishte mesazhi më i qartë se lufta e drejtë e popullit shqiptar do të vazhdojë deri në çlirimin e plotë të Kosovës, që vërtet kulmoi me përmbushjen e misionit të lirisë e me pastaj të Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Sot në këtë vend, në këtë shesh, na ka bashkuar lufta, heroizmi, përpjekja dhe sakrifica e vetmohuese e Nazmi Ukësmajlit. Liria dhe të arriturat tjera të vendit tonë janë rezultat i veprës madhore e të lavdishme, veprës më të lartë të rënies së Dëshmorëve të Kombit për liri dhe pavarësi, të cilët ishin rreshtuar përkrah institucioneve më të rëndësishme dhe më me peshë që ka pasur dhe ka krijuar populli shqiptar në Kosovë, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, që pati shtrirje, organizim dhe zgjerim të shpejtë, të bazuar në respektin e parimeve universale të normave të luftës, dhe gëzoi mbështetje jashtëzakonisht të madhe popullore e ndërkombëtare për drejtimin e luftës së drejtë dhe të pastërt për çlirimin e Kosovës nga Serbia, e cila po kryente krime, gjenocid, masakra, përndjekje e dëbime nga vendi, vrasje të fëmijëve, dhunime, djegje e shkatërrime të objekteve fetare, shkollore dhe të çdo gjejë që nuk ishte serbe”, ka thënë deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Elmi Reçica.
Lavdi jetës dhe veprës së dëshmorit të kombit Nazmi Ukësmajli!