Ferizaj

Elmi Reçica: Muri nuk duhet të ridizajnohet por të rrënohet

By FerizajPress

December 15, 2016

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Elmi Reçica vlerëson se nuk duhet të ketë kurrfarë ridizajnimi të murit, por rrënim të tij.

Zyrtari i lartë i PDK-së ka thënë për ‘Indeksonline’, se ekziston një vendim i Ministrisë se Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor qe ndërtimi i murit është i paligjshëm dhe për këtë ai ka inkurajuar institucionet përgjegjëse qe të veprojnë në këtë drejtim.

“Unë kam deklaruar edhe në mbledhje të Komisionit Parlamentar dhe kam deklaruar qartë se muri nuk duhet të ekzistojë. Ura është për t’i lidhe njerëzit dhe muret për t’i ndarë. Nëse, ne e kemi hapë urën çfarë kuptimi ka të ndërtohen mure”, ka thënë Reçica për ‘Indeksonline’.

Zëvendësshefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, shpreh çudinë se si në vendpunishte nuk ekziston projekti, i cili tregon se si do të duket projekti.

“Unë kam pyet shumë qartë se a ka ndonjë vendpunishte qe nuk është i ekspozuar projekti qe tregon si duken punimet. Pse nuk ekziston ai projekt. Pse nuk është ekspozuar. Muri as nuk është në projekt dhe as nuk duhet të ekzistoj një mur i tillë”, ka shtuar Reçica.

Ai ka kërkuar nga qeveria qe sa me shpejtë të nxjerr vendimin për rrënimin e murit.

Ndërtimi i murit në veri është tema kryesore tash e disa ditë. Një zëri të gjithë po kërkojnë rrënimin e murit. Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, ka deklaruar se nuk do të rrënohet muri në veri, mirëpo, sipas tij, ai do të ridizajnohet, ku do të ndërtohen edhe shkallët./Indeksonline/